Nga Artur Zheji

Nuk ishte një shtëpi, nuk ishte as edhe një vilë, por një pallat lluksoz ngritur në vendin e gabuar, në pronësi të familjes Basha.

Rama sapo erdhi kryeministër e hodhi në erë, me tritolreformën në vijën bregdetare të Vlorës, ku në atë tritolreformë bëri sigurisht mirë.

Në studion e Fevziut, Erinda Ballanca, ish-avokatja e atyre që kishin blerë apartamentet në atë pallat famëkeq, që dukej në të vërtetë si avokatja e familjes Basha, sot Avokatja e popullit, më kujtohet se ishte shumë energjike në debatet për të drejtat e pronarëve. 

Gjithsesi, Qeveria që e prishi, sepse ishte me leje nga kryebashkiaku socialist i Vlorës Shpëtim Gjika, i cili pësoi jo pak ndëshkime për flirtet me Bashën dhe Berishën, para vitit 2013, e vlerësoi diku te 11 milion euro dëmshpërblimin.

Ndërsa në Strasburg, falë edhe shkathësisë se Balancës, por edhe bashkëpunimit të plotë të qeverisë Rama, dëmshpërblimi u ngjit në mbi 13 milion euro, që do t'i kalojnë familjes Basha, nga taksat tona, sepse në fund të fundit paguajmë gjithmonë ne, edhe kur fryhet kryeministri edhe kur çfryhet Opozita. 

I gjithë ky transaksion financiar i majmë, bëhet sot në sy të të gjithëve dhe në prag të protestës së Opozitës, duke sjellë sigurisht një trishtim të madh, sepse ndjejnë me dhimbje e deri në kockë aromën e thartuar të biznes-politike shqiptare.

Rama, në strategjinë e vet të pushtetmbajtjes, është bërë tashmë një mjeshtër i madh, në korruptimin e shpirtrave njerëzorë dhe në korruptimin e kundërshtarëve të tij politikë në radhë të parë. Në këtë grackë, duket se ka rënë edhe Basha dhe jo vetëm kësaj radhe. Sepse tundimi është i madh dhe sepse shpresa që ky popull, është kështu si është, të gjithë aktorët politikë mendojnë shumë dukshëm për xhepin e fryrë të ekonomisë së tyre familjare. 

Prandaj edhe demokratët janë më së shumti të trishtuar, sepse kryeminstri “armik” u nxori dukshëm transaksionin shumë milionësh dhe do ta paguajë këtë 13 milionësh në euro, me qejf të madh dhe me jehonë të madhe, duke e shndrruar në një katastrofë të re elektorale për kundërshtarin politik.

Janë të trishtuar kundërshtarët demokratë të Ramës, sepse nuk shohin ndonjë epërsi morale të liderit të tyre dhe sepse nuk kuptojnë dot, se si u bë kaq e pasur familja e liderit të tyre, e panjohur më parë si një familje e fortë dhe e madhe biznesi.  
Vërtet do të ketë një protestë të ligjshme në 27 janar, dhe duhet të jetë një protestë energjike, por duket se të varfërit janë të lodhur së protestuari për shefat e tyre, që janë të pasur dhe bëhen edhe më të pasur ditë pas dite.

Sepse protestuesve demokratë, përjashtur çunakët e papunë, do t'u duhet të kapërdijnë faktin që përpara apo pas protestës, nga zyrat e qeverisë shqiptare kundër së cilës ata do të protestojnë, do të derdhen plot 13 milionë euro në llogaritë bankare të familjarëve të liderit të tyre.

Është ky fillimi i fundit të Partisë Demokratike? 
Apo në të vërtetë kemi të bëjmë vetëm me aktin e fundit të rënis së plotë në dekadencë të klasës politike shqiptare?/360grade.al/