Banorët e palllatit nr.8  në lagjen 5 në Durrës kanë protestuar paraditen e sotme para Prokurorisë për vonesat në lidhje me gjykimin e çështjes për dëmet e shkaktuara pas tërmetit në këtë objekt.

Banorët e pallatit akuzojnë prokurorinë si palë të korruptuar, pasi vonesat e tejzgjatura kanë kaluar çdo afat. Ata kërkojnë shembjen e pallatit, pasi sipas tyre ai rrezikon jetën e tyre. 

“Këtu po flen dosja jonë. Mundohen ta mbulojnë krimin. Nuk do ta ndalojmë protestën çdo ditë derisa të merret vendimi. Kemi njoftuar çdo institucion shtetëror juridikisht, me anë të avokatit.

Ne kërkojmë prishjen e pallatit se po zë njerëzit brenda, se pallati ikën çdo ditë. Çdo leje, çdo lloj dokumenti është fallco, këtu është vendi ku mbulohet krimi.”

Banorët kërkojnë përfundimin sa më parë të çështjes për dhënien e një vendimi në lidhje me fatin e pallatit.

“Kemi ardhur edhe herë të tjera para prokurorisë, as nuk zbardhet dosja as nuk na japin ndonjë vendim, apo çfarë është bërë deri më tani. Nëse s’janë të zotë le ta çojnë në SPAK, le ta përcjellin prap atje ku është vendi ku dinë ta zgjidhin këtë gjë.”

Pallati 12-katësh është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe grupi i ekspertizës e cilësoi atë DS3. Prej kohësh banorët kanë ngritur zërin se çështja e tyre po zvarritet ndërsa kanë theksuar se nuk iu është dhënë asnjë lloj informacioni se çfarë do të ndodhë me godinën shumëkatëshe.