Banorët e një pallati 12 katësh në qytetin e Durrësit protestuan para bashkisë duke kërkuar që të hyjnë sa më parë në shtëpitë e tyre. Pallati në fjalë gjendet në lagjen nr.12 dhe është dëmtuar nga tërmeti me shkallë dëmtimi DS3.

Banorët shprehen se kanë kaluar 2 vite dhe aty nuk është bërë asnjë riparim apo forcim, ndonëse dëmet, sipas tyre, janë të pakta.

“Po bëjmë dy vite që ka rënë tërmeti dhe ne nuk na është bërë asnjë rrugëzgjidhje”.

“Nuk marrim as bonusin e qirasë. Tani ai i zoti i shtëpisë do lekët, ku t`i gjejmë ne, me një rrogë jam unë. Ne kërkojmë riparimin e shtëpisë dhe derisa të jemi me qira të na japin bonusin”,- thanë banorët.

Në këtë pallat banojnë 65 familje dhe ata kanë përfituar edhe grantin e rikonstruksionit DS3 ne shumën 500 mijë lekë të reja secili. Sipas burimeve nga bashkia e Durrësit, për pallatin në fjalë nuk ka akoma asnjë vendim, pasi Instituti i ndërtimit nuk e ka shqyrtuar godinën në fjalë.

Në një akt ekspertimi që është bërë pas tërmetit, pallati ka pësuar inklinim (çedim) dhe tashmë instituti i ndërtimit do të ngrejë një komision ekspertësh për të vendosur se cfarë do të ndodhë me pallate të tillë, nëse do të riforcohen apo të shemben fare.