Banorët e pallatit nr.15 në lagjen nr.12 në qytetin e Durrësit kanë protestuar sërish sot para bashkisë. Prej dy vitesh, ata nuk banojnë në pallatin e tyre, i cili është vlerësuar me dëme DS3 nga tërmeti i 26 nëntorit.

60 familje presin dita-ditës nisjen e rikonstruksionit për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre, për të cilat kanë marrë edhe dëmshpërblimin në masën 500 mijë lekë të reja.

Banorët dyshojnë se diçka tjetër fshihet pas faktit që rikonstruksioni i pallatit ende nuk është bërë.

“Kanë marrë inxhinier privat, se kush e mori nuk dihet. E kanë çuar inxhinierin privat në kat të dytë dhe të tretë dhe i kanë thënë atij, që të shtojë koston që vajti kosto 70 e ca përqind. Këtu është një diçka, që merret peng pallati”,- tha njëra nga banoret.

Për të dytën herë brenda 4 ditësh, ata kërkuan para bashkisë takim me kryetaren dhe nisjen sa më parë të rikonstruksionit të godinës 12-katëshe.

Njëkohësisht banorët ngrenë edhe shqetësimin për mos marrjen e bonusit të qirasë për muajt shtator dhe tetor.

Sipas burimeve nga bashkia e Durrësit, për pallatin në fjalë nuk ka akoma asnjë vendim, pasi Instituti i Ndërtimit nuk e ka shqyrtuar godinën në fjalë.

Në një akt ekspertimi që është bërë pas tërmetit, pallati ka pësuar inklinim (çedim).

M.B.