“Plazhi në Spille, model suksesi për t’u ndjekur”, kështu shkruan në faqen e saj në “Facebook”, ministrja e Ekonomisë dhe Turizmit Milva Ekonomi.

Sipas ministres, Spilleja ishte “një plazh i lënë tërësisht në mëshirë të fatit”, por “tashmë në Spille falë investimeve të Bashkisë së Rrogozhinës, panorama që të ofrohet është krejt ndryshe. Janë zbatuar të gjithë parametrat e kërkuar nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr 369 për Stacionet e Plazhit.

Policia Bashkiake e Rrogozhinës nëpërmjet djemve dhe vajzave të reja, efektivë të saj, më biçikleta patrullon të gjithë shëtitoren e ndërtuar rishtazi nga e para në një kohë rekord. Që nga nisja e sezonit e deri më sot, në vijën bregdetare të Spillesë prej 4 km, nuk është shënuar asnjë incident.

Ndërkohë në të gjithë vijën bregdetare të këtij plazhi janë vendosur 8 kulla vrojtimi ku me dy turne janë punësuar 16 roje plazhi (Baywatch).

Ky ishte një investim i rëndësishëm për vijën bregdetare të detit Adriatik, por falë këmbënguljes së kryetarit të bashkisë, u arrit të bëhej në një kohë rekord dhe këtu të kishin mundësinë për tu punësuar njerëz nga zona. Unë besoj se modele të tilla do të vazhdojnë të zhvillohen në gjithë bregun e Adriatikut, por jo vetëm, dhe ne do të kemi mundësi që këtë model zhvilloi kryetari i bashkisë, z. Nuredini, ta marrim dhe ta multiplikojmë dhe për plazhe të tjera të vendit, për stacionet e tjera të plazhit, për tu bërë gati për sezonin e ardhshëm”, shkruan ministrja.

Nga foto duket vërtet sikur nuk ndodhemi në një plazh shqiptar, por në Palma de Majorka.