Në zonën e plazhit të Durrësit ka nisur shkulja e palmave të vendosura përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës “Pavarësia”.
Palmat u dëmtuan rëndë nga dimri i këtij viti dhe reshjet e dëborës që shkaktuan në qytetin bregdetar një të ftohtë të paprovuar prej vitesh.
Ditë më parë, në një intervistë për DurrësLajm, drejtori i Komunales së Plazhit, Alfred Dhuli, deklaroi se institucioni i drejtuar prej tij do të priste dhe rreth dy javë, për të parë nëse palmat mund të rikuperoheshin apo jo (lexo këtu).
Siç duket nga fotot e sotme që publikon Jetaoshqef, në zonën e plazhit ka nisur shkulja e palmave.
Nuk dihet ende nëse ato po hiqen pasi nuk mund të rikuperohen më, apo për t’i hapur rrugë projektit të rrugës së plazhit, punimet e së cilës vijojnë prej gati një viti.
Mbjellja e 1000 palmave në pjesë të ndryshme të qytetit të Durrësit, qe reklamuar nga drejtuesit vendorë si një nga nismat më të mira për gjelbërimin e qytetit, por tashmë që pjesa dërrmuese e tyre janë tharë, ato nuk bëjnë gjë tjetër veçse prishin imazhin e zonës turistike dhe qytetit bregdetar (lexo këtu).
Kohë më parë, DurrësLajm u interesua pranë institucioneve vendore për të mësuar nëse palmat e dëmtuar do të zëvendësoheshin nga pemë dekorative të reja, por përgjigja që mori ishte se këtë vit, në buxhetin e 2017 nuk është miratuar asnjë fond për gjelbërimin, meqë shuma të konsiderueshme qenë akorduar vitet e kaluara.
Në kohën e mbjelljes së tyre, bashkia u sulmua nga opozita, e cila përmendte çmimin e lartë me të cilin ishin blerë palmat.
Tashmë që ato u thanë dhe bashkia i mbaroi paratë për gjelbërimin, mbetet të kënaqemi me sipërfaqet e shtuara të betonit, të cilat Durrësi, për hir të së vërtetës, i ka me shumicë.
M.P.





