Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se me emërimin e tij në këtë pozitë, SHBA-ja tregon se është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Palmer i bëri këto komente të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Markoviçit, Palmer tha se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”. Palmer u emërua përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 Gusht.

Duke e uruar për këtë post, Markoviç tha se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit. Markoviç e cilësoi Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”./REL