Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, është shprehur se ShBA e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Gjithashtu tha se palët duhet t’i lenë mënjanë ngjarjet e së kaluarës dhe Bashkimi Evropian duhet t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja fuqishëm e mbështet dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës. Qëllimi është normalizimi i raporteve. Vendet duhet t’i lenë mënjanë ngjarjet e së kaluarës dhe BE t’i hapë rrugën anëtarësimit, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në Bashkimin Evropian”.

Palmer theksoi se SHBA ndonëse nuk është palë në dialog, është e përfshirë në mënyrë aktive në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

“SHBA nuk është palë në procesin e dialogut, por ne jemi partnerë. Jemi të përfshirë në mënyrë aktive edhe me Beogradin dhe Prishtinën. Jemi duke punuar me Miro Lajçakun dhe ekipin e tij në mbështetje të normalizimit të raporteve”.

Ndërkohë shtoi se qëllimi kryesor i SHBA-ve është që të avancohet integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është një pjesë më e gjerë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të mbështesim dhe avancojmë integrimin evropian dhe euroatlantik të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor që ka qenë një qëllim afatgjatë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.