5 qershor 2015 – Gjykata e Lartë ka gjobitur me 200 mijë lekë kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Edi Palokën. Ai u padit nga kryeministri Rama për shpifje, pasi kishte deklaruar se ky i fundit ishte i lidhur me krimin. Por, gjykata e gjobiti për fyerje dhe jo për shpifje.
I njëjtë ka qenë vendimi i kësaj gjykate edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të PD -së, Arben Ristanin, edhe ai i paditur nga kryeministri Rama për shpifje.
Sipas vendimit të Gjykatës, Paloka dhe Ristani duhet të paguajnë secili shumën e 200 mijë lekëve gjobë brenda një viti, ndarë në dy këste.
Megjithatë Paloka vazhdoi të akuzojë Ramën duke thënë se vendimi i gjykatës ka qenë i sforcuar dhe se ajo ka vepruar nën presionin e kreut të qeverisë. Ai kujtoi se kjo gjykatë nuk pranoi të merrte tabulatet telefonike të kryeministrit, me anë të të cilave do të vërtetohej lidhja e tij me kriminelë.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/