Lajmi se një pastruese dhe i biri i saj kanë vjedhur qindra-mijëra euro në banesën e një zyrtareje të lartë të Edi Ramës, vazhdon të jetë krye-argumenti i medias sociale.
Deputeti demokrat, Edi Paloka shkruan se një rast i ngjashëm ndodhi edhe me Elisa Spiropalin, por ajo nuk tregoi.
“Elisa u tregua më e zgjuar; kur vodhën në shtëpinë e saj disa vite më parë (për konçidencë ishte po janar), e mbajti pothuajse të fshehtë. “Pothuajse” … se edhe miqtë e ngushtë tregojnë një ditë…! Tregojnë Elisa…,” shkruan Paloka në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.
Nënë e bir të cilët grabitën rreth 700 mijë euro nga disa shtëpi ku Rozeta Dobi punonte si pastruese, kanë dalë para Gjykatës ku i është komunikuar masa e “arrestit me burg”.
Nënë e bir u vunë në pranga pasi rezulton se kanë grabitur shuma të majme parash nga disa banesa, ndërsa e fundit ishte banesa e ish-shefes së kabinetit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi.
Kësaj të fundit i kanë vjedhur rreth 120 mijë euro, ndërsa grabitja është kryer nga 49-vjeçarja, duke shfrytëzuar mungesën e Klosit, ndërsa i biri 23-vjeçar e priste jashtë me makinë.