27shtator 2015 – Kreu i grupit parlamentar në PD, Edi Paloka, hedh poshtë aludimet e ish deputetes demokrate, Mesila Doda se është vetë ai që e ka përjashtuar nga partia për shkak të votimit në Kuvend pro arrestimit të deputetit Tom Doshi. Ai ironizon ikjen e saj, duke thënë se prej kohësh Doda është larguar nga PD, por mund të ketë ikur edhe nga PDIU.

“Mesila Doda ndoshta ka ikur sot nga grupi parlamentar i PDIU-së tek grupi parlamentar i LSI-së sepse nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kohë që ka ikur”, – deklaroi Paloka.

Me anë të një letre të hapur deputetja demokrate lajmëroi largimin e saj nga PD. Pavarësisht se “de juro” nuk pati një përjashtim të saj nga PD-ja, Doda shprehej se ishte përjashtuar “de facto” nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, menjëherë pasi, ndryshe nga grupi i saj, votoi në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku të cilët u vunë para drejtësisë. Këtë përjashtim Doda e ka ndjerë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 21 qershorit ku Paloka sipas saj nuk e përfshiu në fushatën e zgjedhjeve vendore për Bashkinë e Tiranës.

/portali DurresLajm/