TIRANË,26 shtator 2013-  Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka deklaroi dje se opozita në Kuvend do të jetë konstruktive, duke pranuar se për shkak të numrave, hapësirat e saj të veprimit nuk janë shumë të mëdha. “Ne jemi koshientë që i kemi humbur zgjedhjet. Jemi në opozitë dhe me ata numra që jemi në parlament dhe sikur të donim, nuk do të bënim dot presione, bojkote, por e kemi theksuar që në fillim se do të jemi opozitë luajale konstruktive, për të bashkëpunuar sa herë ka iniciativa në interes të qytetarëve, por edhe për të kundërshtuar çdo veprim të kësaj qeverie që është kundër interesave të qytetarëve. Është synimi ynë që kjo opozitë të jetë konstruktive…”,- tha mbrëmë Paloka për emisionin “Prizëm” në “AS”. Ai foli edhe për situatën brenda PD-së pas largimit të Berishës. “Nuk është lëvizje e vogël largimi i Berishës nga PD pas shumë vitesh. Ne ishim mësuar me Berishën në krye, me të mirat dhe të këqijat, ishte krijuar edhe një gjendje ku në çdo moment edhe për situata të vështira ku nuk dinim si të vepronim, thoshim që nuk ka gjë se e zgjidh Berisha. Kur na mungonte zgjidhja, ai do ta gjente. Largimi i një figure të tillë nuk mund të ishte pa pasoja. Ne humbëm zgjedhjet që do analizohen edhe brenda PD; ishte një goditje jo e vogël ajo e largimit të Berishës. Edhe për mua ky ishte veprim i drejtë, pavarësisht se cilat ishin rrethanat, dhe ne ishim të detyruar  të përballeshim me një situatë të re”, – tha ai. Paloka shtoi ndërkaq se Berisha vazhdon të ketë ndikim. E kundërta, sipas tij, do të ishte hipokrizi. “Sigurisht që ka dhe do të ketë. Është figurë historike e PD-së për vetë cilësitë që ka si lider. Liderin nuk e bën posti. Ai vetë nuk e kërkon këtë. A influencohemi ne? Edhe mundet, qoftë dhe instiktivisht, por gjërat janë të ndara, dhe i pari që e ka bërë këtë është vetë zoti Berisha”, – shtoi ai. Paloka foli edhe për zgjedhjet e pritshme në PD. “Zgjedhjet fillojnë me seksionet dhe pastaj shtrihen deri në strukturat e larta të PD-së. Kryeministri i ri ka të drejtën e tij për të pasur një staf drejtues, pasi është normale që të ketë edhe stafin me njerëzit me të cilët ka dëshirë të punojë. Ai do i zgjedhë vetë, mund të bëjmë edhe ndryshime në statut, të hapur kemi qenë dhe do të jemi, vetë zoti Basha erdhi me KOP-in në PD, kjo nuk duhet harruar. Me çfarë zoti Basha ka shprehur dhe kemi biseduar, do të ketë një ndërthurje organike mes të vjetërve, të gjithë atyre që kanë qenë që nga themelimi por që janë larguar “,- tha ai. Përpos politikave të reja që synon kjo parti, Paloka pranon se PD-ja ka marrë goditje nga zgjedhjet. I pyetur nëse PD-ja do të qëndrojë gjatë në opozitë, Paloka u përgjigj: “Për të qenë i sinqertë, momenti ku jemi nuk është i lehtë. Jemi pak muaj pas humbjes, pas largimit të Berishës kemi marrë një goditje. Tani kemi kryetar të ri, që ka treguar se është i suksesshëm. Ka mundur Ramën dhe shpresa ekziston”.

http://mapo.al/2013/09/26/paloka-kemi-marre-nje-goditje-por-bashen-shpresa-ekziston/