Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka, në një dalje për mediat nga selia blu, ka treguar formularët dhe firmat e 4200 anëtarëve të PD që kanë firmosur për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.
Ai u kërkoi gazetarëve që të numëronin firmat e mbledhura me kushtin e vetëm që të mos fokusoheshin emrat dhe identitetet e delegatëve që kishin firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
Paloka ka ritheksuar edhe njëherë që firmat do të verifikohen nga një Komision i Posaçëm i zgjedhur ditën e mbledhjes se Kuvendit teksa theksoi që të dhënat e delegatëve nuk do të publikohen.
Sipas tij ky Kuvend është i jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye të dhënat nuk do të publikohen.
“Qëllimi sot, i gazetarëve është kush ka durim të ulet dhe t’i shohë këta formularë. Të dhënat personale, ato që duhet të ruhet fshehtësia ju lutem të mos i fokusoni.
Janë 4200 të dorëzuar atë ditë, kanë ardhur dhe formularë të tjerë, por rrimë tek 4200. Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit janë të përcaktuar në statut, janë pjesëtarë të kryesisë së degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetë dhe deri tek kryetari i partisë. Të gjithë këta që kanë firmosur nuk janë thjesht anëtarë, por janë delegatë të Kuvendit. Delegatët nuk ndryshojnë, janë po ata. Nga kryetar seksioni deri tek kryetari i partisë të degës. Janë të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, emër të babës, numrat e kartës së identitetit dhe funksionin në parti që i bën delegat. As unë dhe as ju nuk do bëni verifikimin e emrave. Këtë gjë e bën komisioni i verifikimit të mandateve në Kuvend.
Unë jam si kryetar i këshillit, njëra palë më ka kërkuar të depozitoj këta formularë. Ky është kuvend i jashtëzakonshëm. procedurat e statuti parashikojnë kur kuvendi mblidhet në mënyrë normale. në këtë rast kur nuk iu përgjigjen detyrimeve statutore, jemi të detyruar t’i bindemi vullnetit të shumicës së Kuvendit të PD-së. Jemi të detyruar të zbatojmë detyrat tona statutore. Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, atëherë kanë detyrimin firmëtarët, që janë realisht nismëtarët e Kuvendit të vazhdojnë me procedurat”, deklaroi Paloka.





