Fushata elektorale për Partinë Demokratike duket gjithnjë e më pozitive me pritjen që qytetarët po i bëjnë kandidatëve në qarkun e Durrësit. Kjo u pa qartë në pritjen që iu bë drejtuesit politik të qarkut Durrës, Edi Paloka dhe dy kandidatëve Manjola Luku dhe Erzen Laçi në zonën e Hamallajt.
Gjatë takimit, Paloka theksoi pakënaqësinë që ka krijuar tashmë Rama si kryeministër, gjë që reflektohet kudo në zonat periferike, të cilat janë lënë në harresë. Ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore dhe kanale po realizohen vetëm ditët e fundit të fushatës duke menduar se do të mund të gënjejnë sërish qytetarët.
“A e ka dëgjuar kush Ramën të thotë më falni, apo këtë premtin nuk e mbajta dot? Jo! Çfarë ka bërë për 8 vite? Në rastin më të mirë na la në vend-numëro, por ka vende ku kemi bërë hapa pas. Tani është sulur, diku gërrmon një rrugë, diku gërryen një kanal dhe ngul një shtyllë, me mendjen se do i gënjejnë sërisht shqiptarët.”- tha Paloka.
Gjithashtu, Paloka e cilësoi betejën në këto zgjedhje, si një betejë përballë një qeverie, e cila nuk u zgjidhi problemet qytetarëve, por u bë vetë problemi për ta.





