Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Edi Paloka ka zhvilluar takimin e radhës me banorët në zonën Arapaj ku edhe ka falenderuar qytetarët të cilët për 30-vite e kanë mbështetur PD-në.
Paloka theksoi se me Ramën në krye të Shqipërisë për 8 vite janë bërë hapa pas në zhvillimin e vendit në të gjitha drejtimet.
“Kam një përshëndetje për të gjithë ju që për 30-vite keni kontribuar për Partinë Demokratike dhe të ardhmen e këtij vendi. Qeveria e Ramës për 8 vite na la në vendnumëro, duke mos ecur asnjë hap as në shëndetësi, as në ekonomi, as në arsim, por përkundrazi na ka kthyer pas. E kaluam një moment atë që do ta quaja “renditje e turpit” si vendi më i varfër në Europë, ndërsa qeveria Rama na ktheu aty ku ishim, por kjo nuk është thjeshtë çështje renditjeje dhe nderi, këtë ne e vuajmë çdo ditë.”
Kandidati demokrat gjithashtu preku dhe temën e largimit të të rinjve dhe shqiptarëve drejt vendeve të Europës njëlloj si në vitet ’90 për shkak të varfërisë.
Këtë “arritje” të qeverisë, Paloka e ironizoi duke e cilësuar si të vetmen gjë në të cilën jemi në vendin e parë, duke e paralelizuar me largimin e të rinjve nga Siria që është vend në luftë.
Përsa i përket programit të paraqitur nga pala kundërshtare, Paloka e cilësoi si një tullumbac që lëshohet gjatë zgjedhjeve, një program pa fantazi ku premtohen vetëm aeroporte.
“Ne kemi një program jo si ai i Ramës, që lëshon disa tullumbaca. I mungon fantazia dhe premton aeroporte kudo që shkon, e ka mbushur Shqipërinë me aeroporte.”
Në përfundim të fjalës, Paloka e quajti fitoren si hapin e parë të ndryshimit dhe se më tej duhet t’u jepet zgjidhje qytetarëve për problemet e shkaktuara nga Rama.





