Pas vizitës së drejtuesit politik të PD-së për qarkun e Durrësit, Edi Paloka në familjen Guçe vjen dhe reagimi i Bashkisë.
Sipas tyre familja Guçe është vizituar dhe më parë nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ku vetë ajo i ka rekomanduar të aplikojë për bonus qeraje.
Sqarimi i plotë i bashkisë:
Nënkryetari i PD Edi Paloka ka zhvilluar një vizitë tek një qytetare që banonte në çadër e cila ankohej për kushtet e saj të rënda dhe Paloka u shpreh se askush nuk interesohet për këtë zonjë që i është prishur shtëpia, ajo jeton në çadër dhe askush nuk ka ardhur për ta parë. Natyrisht opozita vijon teatrin e saj duke shfrytëzuar fatkeqësi njerëzish por Bashkia e Durrësit kërkon të sqarojë opinionin publik për të vërtetën.
Zonja Shpresa Guce jeton në njësinë administrative Rrashbull në një shtëpi që nuk është pronë e saj por pronë e Entit Kombëtar të Banesave, pra pronë e shtetit.
Meqënëse Paloka pretendon se ndaj kësaj zonje shteti ka qëndruar indiferent po i themi nënkryetarit të PD që kjo nuk është e vërtetë. Njësia administrative Rrashbull i ka dërguar vazhdimisht ndihma kësaj zonje. Po kështu vetë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka qenë për vizitë tek zonja Guce në 15 Dhjetor 2020 siç tregojnë edhe fotot dhe ka bashkëbiseduar me të për çështjen e shtëpisë. Kryebashkiakja Sako i ka kërkuar zonjës në fjalë që të aplikojë për bonus dhe në të vërtetë pas vizitës së kryebashkiakes Shpresa Guce aplikoi dhe përfitoi bonusin.
Kjo shtëpi në akt konstatimin e parë u klasifikua me shkallë dëmi DS2 por pas ekspertizës së thelluar të kryer nga Instituti i Ndërtimit në Tiranë shtëpia u klasifikua me shkallë dëmi DS5 pra për shembje. Për këtë shkak zonjës Guce i është kërkuar nga njësia administrative Rrashbull të aplikojë për bonus por ajo ka refuzuar ta bëjë aplikimin duke deklaruar që nuk donte bonus por donte një shtëpi të re, theksojmë se shtëpia ku banonte nuk ishte pronë e saj por e shtetit. Më në fund ajo ka aplikuar këtë vit duke e përfituar atë menjëherë.
Zonja Guce megjithëse në çertifikatë familjare figuron e vetme jeton bashkë me vajzën dhe mbesën në një konteiner banimi ngjitur me shtëpinë e dëmtuar. Sigurisht atje ku shkon opozita skena duhet bërë brenda në çadër por nëse kamera që shoqëron PD-në do të rrotullohej pak anash në skenë do të dilte konteineri ku zonja banon. Natyrisht të banosh në konteiner nuk është aspak komoditet por të paktën ajo dhe familja e saj nuk jetojnë në çadër. Edhe në konteiner kjo qytetare do të jetojë për pak kohë sepse ajo do të përfshihet në programin për strehim.
Sa për shtëpinë ku ajo banonte duke qenë se nuk është në pronësi të saj Bashkia e Durrësit do ta përfshijë znj. Shpresa Guce në një nga programet e strehimit për të normalizuar situatën e saj.
Opozita vijon të shfrytëzojë fatkeqësitë e njerëzve për të bërë politikë. Por Bashkia e Durrësit me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare ka punuar dhe vazhdon të punojë në shërbim të qytetit dhe të qytetarëve. “Askush nuk është vetëm” – nuk është thjesht një shprehje por një realitet që sigurisht nuk duan ta shohin zyrtarët e PD por e shohin dhe e ndjejnë vetë qytetarët e Durrësit që po rikthehen në shtëpitë e tyre pasi procesi i rindërtimit vijon me ritme të larta dhe qyteti po shkon drejt normalitetit.





