TIRANE, 7 dhjetor 2013 – Një procedurë e re e Kuvendit të kryesuar nga Ilir Meta i ka mundësuar PD-së që të krijojë një grup prej 4 specialistësh për çështje të ndryshme pranë grupit parlamentar. Kreu i deputetëve demokratë, Edi Paloka bëri dje të ditur për "Gazeta Shqiptare" se janë caktuar 4 vetë si këshilltarë për çështjet e rendit, financave, çështjet juridike, dhe një i katërt që ka qenë më parë si këshilltar pranë grupit të PD-së. Sipas tij, kërkesa e fundit është dorëzuar dje në Kuvend për emrin e Agron Kuliçajt, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit, si këshilltar për rendin pranë grupit kuvendor të PD-së. Paloka tregon arsyet se pse u zgjodh z.Kuliçaj si pjesë e grupit të këshilltarëve demokratë.
Z.Paloka, ju keni dorëzuar në Kuvend një kërkesë në emër të PD-së, që Agron Kuliçaj të jetë këshilltar i grupit të PD-së. Çfarë përmban konkretisht kërkesa juaj?
Kërkesën ia kam dorëzuar kreut të Parlamentit, Ilir Meta, dhe ka një tekst të shkurtër. "Zoti kryetar, ju dërgojmë këtë kërkesë për emërimin e z.Agron Kuliçaj në pozicionin e këshilltarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të përgjigjes suaj".
Pse kjo zgjedhje, pse pikërisht emri i z.Agron Kuliçaj?
Është bërë kjo kërkesë, për faktin se z.Kuliçaj është marrë me çështjet e rendit dhe të policisë. Ndaj ai do të jetë këshilltar pranë grupit parlamentar të PD-së vetëm për çështjet e rendit. Ne kemi caktuar edhe 3 këshilltarë të tjerë.
Pranë grupit parlamentar të PD-së do të ketë 4 këshilltarë?
Po, kemi të drejtë të marrim katër këshilltarë.
Kjo është një procedurë e re e Parlamentit?
Në fakt, më përpara nuk ka qenë kështu. Është futur si procedurë e re nga kryetari i ri i Parlamentit, z. Me-ta, që grupet e mëdha parlamentare të kenë nga 4 këshilltarë.
Janë caktuar tre këshilltarët e tjerë të PD-së?
Po, janë caktuar dhe bashkë me z.Kuliçaj është plotësuar ekipi prej 4 kë-shilltarësh i grupit parlamentar të PD-së.
Kush janë tre këshill-tarët e tjerë dhe çfarë çështjesh mbulojnë?
Njëri nga këshilltarët është për çështjet financiare dhe quhet Dorian Teliti. Një tjetër këshilltar është për çështjet juridike, ka punuar si drejtor në Ministrinë e Drejtësisë më parë. Kurse këshilltari i tretë është ajo që ka qenë prej vitesh; bëhet fjalë për znj.Genta Boksi.
Ndryshe nga të tjerët, emri i Agron Kuliçajt ka qenë herë pas here në qendër të sulmeve të socialistëve gjatë kohës që ishte nëndrejtor i Policisë së Shtetit. Mendoni se mazhoranca aktuale ka një rast të mirë për t'iu rikthyer akuzave ndaj tij?
Z.Kuliçaj nuk ka dhunuar ligjin, përkundrazi, e ka zbatuar atë për aq kohë sa ka qenë drejtues i Policisë së Shtetit dhe ma-zhoranca qeverisëse nuk ka pse ta akuzojë apo sulmojë atë. Z.Kuliçaj në asnjë rast nuk ka shkelur ligjin.
Besoni se kreu i Kuvendit do ta pranojë kërkesën për emrin e tij si kë-shilltar pranë grupit të PD-së?
Sigurisht, dhe ne jemi në pritje. Ne kemi dorëzuar më parë kërkesën edhe për tre këshilltarët e tjerë, por ju gazetarëve ju bën përshtypje emri i Agron Kuliçajt.
Qeveria "Rama" brenda janarit do të përgatisë dy projektligje për armatimin; si i shikoni ndërhyrjet për armët, të cilat janë bërë një herë në janarin që lamë pas?
Në fund të mandatit të kaluar miratuam ndryshimet në Kodin Penal dhe rënduam dënimet për armëmbajtje, qoftë ato me leje apo pa leje, në rast të përdorimit, të mbajtjes së armëve në shtëpi dhe jashtë. Rritëm masën e dënimit për të gjitha. Por ky nuk ka qenë problemi kryesor dhe Rama nuk ka gjë për të ndryshuar në këtë aspekt. Ndërhyrjet e fundit në legjislacionin për armët janë bërë në fillim të vitit që shkoi.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha lajmëroi se brenda 5 ditëve do të nisë procesi i analizës dhe zgjedhjeve të reja në parti. Si do të zhvillohet ky proces?
Procesi i analizës së humbjes së 23 qershorit dhe ai i zgjedhjeve të reja në PD do të nisë javën e ardhshme. Fillimisht do të nisë me bazën dhe më pas do të vijojë me zgjedhjet në qendër, atë të drejtuesve të rinj dhe anëtarët e forumeve të reja të partisë.
Do të ketë mbledhje të forumeve të larta të PD-së, konkretisht kryesia e partisë, për të caktuar procedurat që do ndiqen për këtë proces?
Jo, sepse kryesia është pa mandat. Procesi do të nisë me mbledhjet e seksioneve në bazën e partisë dhe ky proces do të marrë një kohë të gjatë deri në përfundimin e tij.
/GazetaShqiptare/





