Në minutën e 14-të të ndeshjes së luajtur mes Xolos dhe Pachuca-s në fazën e nxehtë të kampionatit meksikan të futbollit, Michael Orozco ka kryer një hyrje brutale ndaj Hirving Lozano. Këtë të fundit e ka shpëtuar vetëm Zoti, edhe pse me pasoja të rënda, me shenja të dukshme të dhimbjes nga e çara e thellë pak sipër kyçit të këmbës.

E çuditshme, por arbitri Cesar Arturo Ramos tregoi vetëm kartonin e verdhë për lojtarin e Xolos, ndërsa Lozano përundoi jashtë fushe me barrelë. Vënia nën kontrollin e stafit mjekësor e dëmtimit ishte jashtëzakonisht e vështirë, për shkak se gjaku nuk pushtonte.

Lozano doli duke qarë me barrelë dhe u dërgua menjëherë në spital për të mësuar më mirë shkallën e lëndimit. Spitali ka përjashtuar thyerjen e kockës së këmbës, çka është padyshim një lajm i mirë. Ama, janë dashur shumë qepje për të bashkuar pjesët e ndara të muskulit. Kur Michael Orozco e kuptoi dëmin e madh që i kishte shkaktuar kolegut, shkoi dhe i kërkoi falje.