Filiali i një banke të nivelit të dytë që ndodhet te stacioni i trenit në Durrës, u tentua të grabitej këtë të premte nga një 24-vjeçar.

Burime nga policia bënë të ditur për “DurrësLajm”, se autori është Kreshnik Margjoni, 24 vjeç, me origjinë nga Rrësheni, e banues në ish-Kënetë në Durrës.

Ai ka hyrë në ambientet e bankës me një thikë në dorë, dhe nën kërcënimin e saj, ka tentuar të marrë xhiron ditore duke terrorizuar punonjësen e arkës.

Punonjësit e bankës kanë lajmëruar policinë, e cila në kohë rekord bëri të mundur arrestimin e autorit 24-vjeçar.

Policia bën me dije se ka sekuestruar thikën dhe shumën e parave, ndërsa autori është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës.

Informacioni i policisë:

Kërcënon me thikë punonjësit e bankës, arrestohet në flagrancë nga Policia.

Më datë 13.04.2018, rreth orës 11:10 në lagjen nr.4 Durrës, në ambientet e një banke të nivelit të dytë, shtetasi K.M. 24 vjeç, banues në Durrës, ka tentuar të vjedhë me dhunë, nën kërcënimin e një thike, një sasi parash.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivët e Policisë, të cilët kanë bërë të mundur kapjen e autorit, sekuestrimin e thikës dhe të parave.

Shtetasi i mësipërm është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës për  kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.