Të paktën 3 persona kanë humbur jetën këtë të mërkurë në Kanalin Anglez, pasi varka me të cilën lundronin hasi vështirësi në afërsi të Kentit. Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, të paktën 43 persona të tjerë janë shpëtuar dhe janë çuar në Britani.

Sky News ka publikuar edhe pamjet e para të operacionit të shpëtimit të emigrantëve, që vijon ende. Autoritetet i druhen faktit se numri i viktimave mund të rritet. Kombësia e emigrantëve që ndodheshin në varkë nuk dihet ende.

Autoritetet britanike u njoftuan fillimisht se varka ishte në vështirësi rreth orës 03:40 të së mërkurës. Prej atij momenti autoritetet nisën operacionin nga uji e ajri.

Varka dyshohet të jetë përmbysur duke bërë që personat që ndodheshin në të, të përfundonin në ujë, në një kohë kur temperaturat gjatë natës raportohet të kenë qenë -4.