E gjithë zona rreth e rrotull pallatit nr.122 në lagjen nr.18 në Durrës, ku pritet të kryhet shpërthimi i telekomanduar pas pak minutash, është rrethuar dhe është boshatisur.

Forcat e policisë, uniformat blu, forcat e shërbimit zjarrfikëses si dhe një autoambulancë ndodhen në vendngjarje, në gatishmëri për shpërthimin e kontrolluar.

Ndërkohë dhjetëra kureshtarë ndjekin nga afër parapërgatitjen për shembjen e pallatit.

Për prishjen e objektit, do të përdoren 20 kg lëndë eksplozive, 5500 fitil detonator, ndërsa janë hapur në trupin e tij 700 furnella (vrima).

Të gjithë banorët e banesave dhe bizneseve që ndodhen pranë këtij pallati janë njoftuar prej disa ditësh që duke nisur nga ora 12. 00 deri në orën 17.00 të ditës së sotme, të jenë të larguar nga banesat dhe subjektet e tyre dhe të marrin masa duke lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre, të ulin në dysheme televizorë, kompjuter si dhe çdo pajisje tjetër që e shohin të arsyeshme.

Shpërthimi do të kryhet në orën 14.00.