Disa pamje dramatike që po qarkullojnë në mediet ndërkombëtare, tregojnë momentin kur disa policë të armatosur qëllojnë për vdekje një grup të rrezikshëm qensh që po sulmonin njerëzit në qendër të qytetit.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes pasi u njoftua se një grup prej 6 qensh të racës Pitbull, kishin dalë jashtë kontrollit në Parkun Queens, në Bolton të Anglisë.
“The Mirror” raporton se një grua 60-vjeçare ishte kafshuar në dorë, ndërsa një burrë në këmbë.
Në video dëgjohet teksa policët e armatosur nisin të shtijnë me armë, duke krijuar një skenë horror për kalimtarët dhe për të gjithë ata që e kanë parë në internet.
Një person shihet duke u marrë nga policia gjatë incidentit, ndërkohë që dy qen qëndrojnë pajetë në rrugë.
Policia tha se dy qen janë ekzekutuar, ndërsa dy të tjerë janë kapur.
Oficerët nisën kërkimet në zonë për të gjetur ndonjë qen tjetër që besohet të jetë pjesë e grupit të rrezikshëm.
“Policët vepruan me prioritetin numër një që kemi në mendje; për të mbrojtur njerëzit dhe për të parandaluar ndonjë plagosje”, tha një zyrtar i policisë, pas reagimeve të ashpra që shpërthyen në rrjet për vrasjen e qenve.
Ndërkohë, një burrë 38-vjeçar është arrestuar, pasi dyshohet se ka lejuar njërin prej qenve të rrezikshëm të dalë jashtë kontrollit në një vend publik. Ai po mbahet në paraburgim policor për t’u marrë në pyetje.
S.L.