Një rast i padëgjuar ka ndodhur në Divjakë, në fshatin Bishcukas, ku kafkat e të vdekurve po nxirren jashtë varreve nga kafshët e egra.
Një qytetar ka treguar për JOQ.al:
“Përshëndetje JOQ! Në varrezat e fshatit Bishcukas, Divjakë, kafshët e egra (kryesisht dhelprat) po nxjerrin kufomat e të vdekurve nga varret për arsye të mos mirëmbajtjes së tyre. Po bëhen vite që nuk vë kush dorë mbi to dhe i kanë mbuluar ferrat gjithandej.”
Qytetari shpjegon që nga mospastrimi i terrenit, varrezat janë kthyer në mal dhe mezi gjenden. E pikërisht për këtë arsye, banorët e kësaj zone janë ankuar në bashki shumë herë, por deri tani asgjë dhe kufoma tjera vazhdojnë të nxirren në sipërfaqe.
“Kafshët i nxjerrin duke gërmuar sepse aty është kthyer në pyll dhe jo varreza. Bashkia e neglizhon këtë problem dhe ne fshatarët nuk kemi si t’i largojmë me mjete rrethanore sepse është katastrofë aty.
Kanë gërmuar në shumë varreza, por unë vetëm këto kam fotografuar dhe familjarët kanë frikë të futen më tej nga pamjet e tilla.
I bëjmë apel bashkisë të reagojë menjëherë!”, vijon më tej qytetari.





