Një gropë e madhe që u hap pak pas orës 5 të mëngjesit të sotëm, në Napoli, në via Morghen “gëlltiti” dy makina, njëra prej tyre që po kalonte pranë.

Një shtyllë e madhe ndriçimi rrugor dhe një tabelë rrugore gjithashtu përfunduan në gropën e madhe. Të njëjtin fat pati edhe një pemë e madhe e cila do pritet së bashkë me një tjetër ngjitur me të.

Në total, katër persona u plagosën, dy prej tyre turistë, që po qëndronin në një “Bed & Breakfast” ngjitur me zonën e shembjes.

Një prej të plagosurve, që ndodhej në makinë, u transportua në spital pasi kishte pësuar një traumë në kokë, por pas mjekimit u la i lirë.

Autoritetet lokale kanë dyshime se shembja e madhe mund të jetë shkaktuar nga vërshimi i ujit të krijuar nga tubacionet.

Pjesa më e madhe e zonës aktualisht nuk ka furnizim me ujë për të lejuar operacione të sigurisë.

20 familje janë evakuuar nga një ndërtesë aty pranë.

Puna e autoriteteve lokale vijon për zbardhjen e shkakut të hapjes së gropës.