Mediat greke kanë publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes, në të cilin u vra me plumb në kokë shqiptari Irakli Davella dhe u plagos rëndë Edi Lolo.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 jashtë ambienteve të një lokali në lagjen Thrakomakedones.

Irakli Davella, 47-vjeç u qëllua me plumb në kokë dhe gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa shqiptari tjetër, 46-vjeçari Edi Lolo mbeti i plagosur rëndë. Lolo ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën, për shkak të plagëve të marra në kokë dhe në bark.

Policia greke dyshon se një grindje mes grupeve rivale është shkaku i atentatit të sotëm. Autorët, me një makinë të bardhë të cilën e kishin vjedhur këtë të diel në zonën e Patisias, i zunë pritë dy shqiptarëve.

Ata ishin të veshur me rroba të zeza dhe iu afruan shqiptarëve në këmbë. Pasi i qëlluan me breshëri plumbash u larguan nga vendi i ngjarjes me shpejtësi, me automjetin e vjedhur.

“Dëgjuam të shtëna, pamë njerëz me të zeza te lisharëset. Në fillim menduam se po hidhnin fishekzjarrë. Pastaj, pamë një djalë që thërriste ‘i kanë vrarë, i kanë goditur’. Policia erdhi relativisht shpejt, më pas filluan të mblidheshin njerëz, sepse në fillim nuk e kishin kuptuar çfarë kishte ndodhur”, – tha një prej dëshmitarëve.

Shënjestra e këtij atentati dyshohet të ketë qenë Irakli Davella, një emër aspak i njohur për autoritetet greke.

Sarandioti, i cili gëzonte edhe nënshtetësi greke, rezulton të ketë qenë miku i 3 personazheve të tjerë të ekzekutuar në Greqi vitet e fundit, konkretisht mafiozëve grekë Manolis Karagiannis, Vasili Griva dhe Giorgo Litsa.

Tre personazhet e krimit të ekzekutuar më parë dhe viktima e atentatit të sotëm kishin krijuar vite më parë një grup kriminal që vepronte në Athinë. Ndërkohë, shqiptari tjetër që mbeti i plagosur në këtë atentat, Edi Lolo, sapo ishte kthyer nga Dubai disa ditë më parë.