“DurrësLajm” siguron foton e viktimës që u gjet këtë të shtunë në ujërat e detit afër Spillesë. Për arsye etike nuk mund ta publikojmë foton të plotë, por vetëm një pjesë të saj dhe disa të dhëna që mund të ndihmojnë ata persona të cilët kanë humbur kontaket me familjarët e tyre, dhe dyshojnë që kufoma mund të jetë njëri prej tyre.
Viktima e seksit mashkull nuk është identifikuar ende, ndërsa nga këqyrja paraprake dyshohet se është rreth 40 vjeç, thanë burimet policore për “DurrësLajm”.
Dyshohet se ai ka ndërruar jetë para disa ditësh, dhe do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të përcaktojë shkaqet dhe kohën e vdekjes së këtij personi, si dhe për të verifikuar nëse ka shenja dhune apo jo.
Viktima ka të veshura një palë xhinse ngjyrë blu e sipër tyre një palë pantallona tip fësh-fëshe ngjyrë ulliri. Ka një rrip ngjyrë të zi me togzë gri, ndërsa sipër një këmishë me rombe ngjyrë blu dhe të bardhë. Sipër këmishës, ka një bluzë të zezë me zinxhir. Nga këmbët, ka mbathur një palë kambale ngjyrë të errët.
Ndërsa në video është momenti i mbërritjes së trupit vetëm pak minuta më parë në morgun e Durrësit, ku pritet t’i nështrohet ekspertizës.
Kanë qenë disa peshkatarë që kishin dalë për të gjuajtur peshk, kur kanë konstatur trupin e pajetë në det. Menjëherë ata kanë njoftuar policinë, e cila ka nisur hetimet. Kufoma u gjet në bregdetin e Kavajës, rreth 10 milje larg kepit të Selitës në Spille.





