Këto janë pamjet e rënda të dhunës së ushtruar ndaj shtetasit maroken Elmedi Nouak, në Durrës. Siç mund të shihni në video, 29-vjeçari Elmedi Nouak dhunohet nga dy kamerierë, në mes të lokalit, në lagjen nr.6 në qytetin bregdetar.
Nuk dihet ende arsyeja e dhunës së ushtruar ndaj marokenit, por ky i fundit tha më herët në një intervistë për “DurrësLajm” se është dhunuar nga policia dhe ka qëndruar për 5 ditë i izoluar në birucë dhe lakuriq, pa ngrënë asgjë.
Në një sqarim, Policia e Durrësit njoftoi se marokeni ishte shfaqur në lokalin ku është dhunuar nga kamerierët, me sy të nxirë dhe i dehur, duke shqetësuar klientët.
Gjithashtu, policia tha se qytetarë të shumtë kishin telefonuar uniformat blu, duke shprehur shqetësimin se një i huaj, pikërisht 29-vjeçari, konfliktohej me kalimtarë të rastit te “Sheshi Pranvera”.





