Një vrasje ka tronditur sot qytetin e Kavajës. Një person është vrarë me armë zjarri në mes të qytetit e në mes të ditës, në një zonë plot me kalimtarë.
Viktima i identifikuar si Ramazan Haslliu, sipas informacioneve të para, ishte kalimtar i rastit që nuk ka pasur lidhje me konfliktin mes 2 grupeve kriminale. Po ashtu dhe 5 të plagosurit e tjerë që janë transportuar në spital.
"DurrësLajm" ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes.
Viktima me këmishë të bardhë e pantallona të zeza, i shtrirë përmbys në rrugë, pranë tij kishte qesen e bukës së sapoblerë. Plagët e shkaktuara nga plumbat i ka marrë në pjesën e barkut.
Policia ka rrethuar vendin, ndërkohë që ka mbërritur edhe një autoambulancë për të marrë trupin e pajetë.





