Pamje të rënda filmike vijnë nga një spital në Spanjë, ku pacientët e prekur nga koronavirusi janë shtrirë përtokë në korridor, në pritje për t’u ekzaminuar nga stafi mjekësor.

Në video duket qartë se disa janë në gjendje të rëndë, ndërsa mjekët u qëndrojnë pranë në një kohë që pacientët janë të lidhur me bombulën e oksigjenit.

Pamjet filmike janë xhiruar në spitalet Infanta Leonor dhe Severo Ochoa de Leganes, në Madrid, raporton e përditshmja spanjolle El Mundo, të cilës i referohet Daily Mail.

Video është shpërndarë online duke u bërë apel spanjollëve të respektojnë masat drastike të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Sipas “El Pais”, në Spanjë janë konfirmuar 33 mijë të prekur, nga të cilët vijojnë të jenë në kujdes intensiv 2355 persona. Deri tani, në Spanjë kanë humbur jetën 2182 persona. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 462 persona të vdekur nga koronavirusi.

Autoritetet spanjolle i tremben faktit se në vendin e tyre do të përsëritet situata dramatike e krijuar në Itali nga koronavirusi.