Këto pamje të trishta vijnë nga qendra e Durrësit, aty ku lypësit e pastrehë, pasi kanë mbaruar ditën e tyre të ‘punës’ duke lypur rrugëve të qytetit, shtrojnë një batanije dhe bien për të fjetur.

Shtrihen pikërisht në sheshin kryesor “Liria” përpara bashkisë dhe sapo agon, zgjohen familjarisht dhe shpërndahen nëpër qytet, duke u shtrirë dorën dhe duke u kërkuar sërish qindarka dhe lëmoshë durrsakëve dhe vizitorëve të Durrësit.

Varfëria dhe mungesa e një strehe i detyron ata të flenë rrugëve, nga më i vogli deri te më i madhi i familjes, duke rrezikuar të marrin sëmundje të rënda, si dhe nga ana tjetër duke krijuar një panoramë jo fort të këndshme për një qytet turistik.

Kjo kategori e shoqërisë sonë, në sajë të mungesës së vëmendjes nga strukturat shtetërore, ka shkuar në kufijtë ekstrem në luftën për ekzistencë, duke u zhveshur nga çdo dinjitet njerëzor. Duke mos pasur edhe vend strehimi, këta persona flenë aty ku kërkojnë lëmoshë ditën. Ata janë pa strehim, pa bukë, pa punë dhe të privuar nga çdo e drejtë njerëzore, jo për faj të tyre, por për faj të kolektivit që i rrethon dhe shtetit. Ky realitet i hidhur është dëshmia më e qartë për nivelin e të drejtave të njeriut në vendin tonë.

S.L.