Në ditën e 7-të të përmbytjes masive të Durrësit zona e ish-Kënetës shfaq një pamje të trishtë.
Mëngjesin e sotëm, uji që ndodhet në rrugë prej ditësh është kthyer në akull, për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturave.
Por ajo që është më e trishtë janë vendgrumbullimet e mbeturinave, në këtë lagje.
Në videon që po publikon “DurrësLajm” dallohen qartë pasojat e dhimbshme për shumë familje të zonës, të prekur nga përmbytja.
Për shkak të daljes jashtë përdorimit, sepse kanë ndenjur për ditë me radhë në ujë, banorët kanë nxjerrë jashtë shtëpive orendi të shumta shtëpiake.
Divane, kolltuqe, rroba, pajisje elektro-shtëpiake etj kanë përfunduar në venddepozitimet e mbeturinave.
Ndërsa procesi i verifikimit të dëmeve nëpër banesa vijon, ende nuk ka një bilanc paraprak se sa është fatura e dëmit të shkaktuar në bashkinë Durrës nga përmbytja e datës 6 janar, e cila vijoi për ditë me radhë.
Bashkia Durrës ka ngritur 15 grupe verifikimi në terren për të evidentuar të gjitha banesat e prekura nga përmbytjet dhe dëmet që u janë shkaktuar.





