Porti i Durrësit pavarësisht se ndodhet në një situatë të pazakontë, ka pritur një super jaht luksoz me 15 vela mëngjesin e sotëm. “Falcony maltez” mbërriti pas tre ditësh lundrimi në portin e Durrësit me ekuipazhin e tij. I konsideruar si një prej superjahteve turistikë me vela, i cili merret kryesisht me qira nga biznesmenë dhe personalitete të njohur për pushimet e tyre, jahti 88 metra i gjatë ka mahnitur jo pak durrsakët me pamjen e tij.
Burime zyrtare nga Kapitaneria e portit të Durrësit bënë me dije se jahti me flamur Maltez, i regjistruar në Valeta, u ankorua në portin e Durrësit me qëllim funizmin me karburant dhe ushqime.
Të njëjtat burime pohuan se furnizimi me naftë për mjetet lundruese turistike është i lejuar, ndërsa krahas furnizmit me karburant ekuipazhi do të bëjë edhe furnizimin me ushqime.
Tre direkë mbajnë 15 vela me një sipërfaqe rreth 2400 metra katrorë. Qendra e brendshme e interiorit është atriumi ku të tre kuvertat bashkohen nga një shkallë rrethore që rrethon kuvertën kryesore, duke krijuar një efekt spiral që zgjerohet nga drita natyrale që vjen përmes dyshemeve transparente.
Kuverta kryesore është një hapësirë e gjerë e hapur që përmban një sallon kryesor, një kabinë të madhe, dy zona të veçanta studiosh dhe një dhomë ngrënieje. 12 të ftuar mund të akomodohen në pesë kabina në kuvertë të ulët dhe një kabinë kalimi në kuvertën e sipërme, me një kabinë private, një zonë të mbrojtur nga dielli dhe hyrje të drejtpërdrejtë në kabinën e kapitenit, të arreduara me shumë finesë, janë disa prej ambienteve kryesore të jahtit.
Veliera Maltese Falcon është ndërtuar në kantierin detar Perini Navi në Tuzla, Stamboll, e porositur nga pronari i saj i parë, Tom Perkins. Ajo është marrë me qira nga aktorë të famshëm hollivudianë si Tom Hanks apo Hugh Jackman, bashkëthemeluesi i Google, Larry Page etj.