Kryeministri Edi Rama nisi vizitën në Ukrainë së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Ata kanë vizituar Borodyanka-n për të parë nga afër krimet e luftës të shkaktuara nga ushtria ruse. Në pamje duken pallatet e shkatërruara nga bombardimet. E gjithë vizita po mbahet nën masa të forta sigurie.

Takimi me Zelensky

Në vijim, Kryeministri Rama dhe homologu i tij i Malit të Zi do të priten në takim nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, takim që do të pasohet nga Konferenca e përbashkët për shtyp e  Kryeministrit Rama, Kryeministrit Abazoviç dhe Presidentit Zelensky.

Kryeministri Rama do të takojë gjatë ditës Kryeministrin e Republikës së Ukrainës Denys Shmyhal dhe më pas Kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.

Kush e shoqëron

Gjatë vizitës Rama është i shoqëruar nga Elisa Spiropali ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri dhe Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm.