Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është duke zhvilluar një mbledhje. Në të merr pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, edhe pse nuk ishte lajmëruar nga kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj.

Siç duket edhe nga pamjet e shpërndara për mediat, mbledhja drejtohet nga Enkelejd Alibeaj ndërsa krah tij janë ulur deputetët Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi.

Ndërkohë Sali Berisha është ulur mes deputetëve Tritan Shehu dhe Agron Shehaj. Siç duket nga fotot ish-kryetari Lulzim Basha nuk ka marrë pjesë në mbledhje.

Një ditë më parë, Sekretari i grupit, Arbi Agalliu tha se 5 deputetë nuk janë njoftuar për mbledhjen pasi janë të përjashtuar dhe nuk janë më pjesë e grupit parlamentar.

Por që dje Berisha konfirmoi se do të jetë i pranishëm në mbledhjen e grupit sepse ka mandatin e Kuvendit të 11 Dhjetorit të konfirmuar me referendum dhe më pas me votën e zgjedhjeve të 6 Marsit.

Kjo është mbledhja e parë që zhvillohet pas dorëheqjes së Lulzim Bashës dhe vendimit të gjykatës që miratoi statutin e Kuvendit të 11 Dhjetorit duke legjitimuar në këtë mënyrë Komisionin e Rithemelimit.