Në gjithë këto vite tranzicion është folur shumë për barazinë gjinore, për rritjen e numrit të grave në vendimmarrje, për shtimin e numrit të femrave në poste të rëndësishme të administratës shtetërore dhe biznes. Por përpos kësaj, imazhit të bukur të femrave të suksesshme, ka dhe një anë tjetër, një realitet të hidhur. Shoqëria jonë vazhdon të mbetet patriarkale, të dominohet nga figura mashkullore. Pjesës më të madhe të grave i mungon pavarësia ekonomike, e për këtë shkak vazhdojnë të durojnë dhunën fizike dhe psikologjike të bashkëshortëve “derisa vdekja të na ndajë”. Madje dhe në rastet kur divorcohen shpesh janë të detyruar të jetojnë nën të njëjtën çati si rasti i Lime dhe Bujar Dedej.

Thuajse çdo ditë në komunikatën e policisë raportohen raste të dhunës bashkëshortore dhe lëshimit të urdhrit të mbrojtjes nga gjykata për bashkëshortet e dhunuara. Por edhe pse me urdhër mbrojtjeje femrat nuk kanë mundur t’i shpëtojnë furisë së dhunës së burrave të tyre. Rasti më i fundit u regjistrua në Tiranë, kur 36 vjeçarja Rolanda Doku u vra nga bashkëshorti i saj megjithëse gëzonte mbrojtjen nga policia. Sipas Fertoza Izvirës, kryetares së gruas së LSI-së, raste të tilla shkaktohen pasi mungon një plan strategjik për parandalimin e tyre, ndërkohë që reagimi është mjaft i vonuar. 

“Në mjaft raste viktimat e këtyre krimeve i kanë denoncuar disa herë bashkëshortët e tyre në polici, por ndaj këtyre të fundit nuk është marrë asnjë masë. Policisë i mungon një plan strategjik për të parandaluar raste të tilla kaq makabre. Në të njëjtën kohë shoqëria civile dhe shoqatat për mbrojtjen e grave reagojnë gjithnjë pasi regjistrohen këto raste dhe nuk kanë forcë të imponojnë masa më të rrepta ndaj autorëve të tyre dhe ndaj personave përgjegjës që kanë pasur dijeni për këto fenomene, por nuk kanë reaguar në kohë”,- thotë ajo. 

Ndezja e qirinjve nëpër sheshe në shenjë respekti ndaj viktimave është reagimi i vetëm i shoqërisë, por kjo është shumë pak kur mendon se mund të kemi Aishe, Lime apo Rolanda të tjera. Natasha Paço ish zv/ministre dhe prefekte e Durrësit gjatë qeverisjes socialiste thotë se reagimet duhet të dalin nga muret e sallave të hoteleve luksoze ku organizohen tryeza për problemet e grave në shoqërinë shqiptare. Ato duhet të trokasin fort në veshët e atyre që duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të parandaluar akte të tjera makabre.

“Duhet një reagim i menjëhershëm jo vetëm i shoqërisë civile, por i të gjithë shoqërisë sonë. Reagimet deri tani i kemi bërë nga tryezat e rrumbullakëta të hoteleve luksoze, ndërkohë që reagimi duhet të jetë mjaft i fortë dhe të trondisë institucionet që mund të frenojnë këto fenomene. Nuk duhet të trokasim vetëm në veshët e njëri-tjetrit, por duhet të trokasim në veshët e qeverisë, policisë dhe institucioneve të tjera që duhet të ndërhyjnë sa më shpejt për të parandaluar raste të tjera në të ardhmen”- thotë Paço. 

Ndërkohë deputetja socialiste Klodiana Spahiu, duke iu përmbajtur demagogjisë partiake deklaron se përgjegjësia direkte për aktet kriminale në vend i takon qeverisë Berisha. Sipas saj “kjo qeveri vrasëse po kontribuon në rritjen e shkallës së kriminalitetit në vend e për këtë arsye gratë duhet të bëhen të gjitha bashkë për ta rrëzuar nga pushteti Sali Berishën”.

Nga ana tjetër kryetarja e Këshillit të Qarkut, në Durrës, Eglantina Begteshi, thotë se nuk është e vërtetë që nuk ka pasur reagime nga shoqëria civile apo shoqatat për mbrojtjen e grave. Sipas saj shoqëria jonë është bërë tepër e ndjeshme ndaj krimeve të këtij lloji. “Vrasjet e ndodhura kohët e fundit duhet të themi se vërtetë kanë shkaktuar tronditje në shoqërinë shqiptare, e cila është tepër e ndjeshme përballë këtyre ngjarjeve. Nuk mund të themi se nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e institucioneve përkatëse për vrasjet e ndodhura. Reagim ka pasur nga shoqëria civile, por edhe nga institucione të ndryshme, të cilat kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të grave”,- tha Begteshi. G

jithsesi mbetet fakt se asnjë nga përfaqësueset e administratës publike apo partitë politike nuk iu bashkua thirrjes për të ndezur qirinj për Aishen të martën e kaluar.

 

RETRO

Kërkesa e Nishanit

Në dhjetor të vitit të kaluar, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, sot President i Republikës ka kërkuar ndjekjen e një politike penale më të ashpër për sa i përket dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave në veçanti. “Kodi penal dhe kodi i proçedurës penale kanë nevojë të ndryshohen, është koha për një politikë penale më të ashpër që synon në radhë të parë të rrisë përgjegjësinë e çdo qytetari dhe grupi shoqëror, por do të ndihmojë edhe autoritetet në investigimin, hetimin por edhe penalizimin e veprave të tilla",- pati deklaruar Nishani. Në kuadër të ndëshkimit penal të dhunës, nenit 90 të Kodit Penal “Dëmtime të tjera me dashje” është propozuar t’i shtohet neni 90/a për dhunën në familje dhe vendosja e sanksionit deri në 5 vjet heqje lirie për dhunuesin: “Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, e kryer nga autori i veprës ndaj personit që ka ose ka pasur marrëdhënie bashkëshortore apo bashkëjetese, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 5 vjet”.

Neni 90 i K. P. – Dëmtime të tjera me dashje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Propozimi

“Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, e kryer nga autori i veprës ndaj personit që ka ose ka pasur marrëdhënie bashkëshortore apo bashkëjetese, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 5 vjet”.