Panairi i librave për fëmijë i organizuar sot në shkollën 9-vjeçare “Neim Babameto” tërhoqi jo pak vëmendjen e nxënësve.
Mes morisë së librave me ilustrime, romaneve për fëmijë dhe përrallave më të njohura për më të vegjlit, nxënësit kishin një gamë të gjerë përzgjedhjeje sipas preferencave të tyre.
Megjithëse teknologjia u merr shumë nga koha e lirë, pasioni për leximin nuk u mungon.
“Leximi për mua është shumë i rëndësishëm, sepse zgjeron botën time, mendjen, por edhe fjalorin etj”,– thotë një nxënëse.
“Unë mendoj se teknologjia ka ndikuar negativisht tek leximi, por ne duhet t’i japim më shumë kohë atij, sepse është një gjë shumë e rëndësishme që na bën më kreativë dhe na ndihmon të shprehim botën tonë”,– tha një nxënëse tjetër.
Të njëjtën gjë na konfirmoi edhe autorja Natasha Shuteriqi Poroçani, sipas së cilës, adoleshentët janë grupmosha që aktualisht shfaqin një interes në rënie për librin.
Për të rritur interesin e nxënësve për librat, drejtori i shkollës, Xhevdet Hoxholli, deklaroi se aktivitete të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen.
Krahas panairit të librit, nxënësit patën mundësi të zhvillonin një bashkëbisedim me dy autorët e njohur Shpendi Topollaj dhe Natasha Shuteriqi.
M.B.