Për dy ditë me radhë, sheshi Liria në Durrës, përballë me institucionin e Bashkisë, në qendër të tij, është kthyer në një arenë, tregtie, qoftesh dhe rroba “gabi”.
Iniciativa që ka ndërmarrë Vakëfi Islamik Shqiptaro-Turk për hapjen e një panairi, është për tu përshëndetur, për vetë faktin se është në ndihmë të fëmijëve dhe familjeve në nevojë, por vijim i një aktiviteti të tillë në qendër të Durrësit, ka lënë të çuditur, dhe jo pak, të nervozuar mjaft qytetarë durrsakë, të cilët , nuk e kanë parë asnjë herë më parë, një katrahurë të tillë në mes të qytetit. Vakëfi i ka kërkuar leje Bashkisë për këtë aktivitet, dhe Bashkia u ka dhenë leje që ky aktivitet të zhvillohet në qendër të Durrësit, duke shkaktuar jo vetëm prishje të imazhit për qytetin bregdetar, duke e kthyer në një mejhane qendrën e Durrësit, por edhe probleme me trafikun.
Rroba me çmime të ulëta, qofte, pije freskuese, byrek e tepsi me ëmbëlsira, zgara ku piqen bërxolla, karrige pa asnjë sistem, shapka, e sandale, nga ato të tregut të të përdorurave, janë ekspozuar në këtë panair, ku blerës dhe tregtarë janë vetëm një pjesë e konsumatorit durrsak.
“Ne organizojmë një panair bamirësie, ku mblidhen materialet dhe ushqimet nga kushtet e shtëpisë dhe tregtohen në ndihmë të nxënësve që janë të sistemuar në konviktet e shoqatës Vakfi Islamik Shqiptaro- Turk. Kemi dy konvikte në Shkozet të ndarë për vajza dhe për djem. Panairi do të qëndrojë për dy ditë i hapur. Shqipëria nuk është në dijeni për këtë shoqatë, dhe organizohet për herë të dytë. Vjet e organizuam në oborrin e Medresesë në Shkozet sivjet Kryetari i Bashkisë na e dha lejen të vijojmë këtu para shatrivanit. Ne kemi bërë një thirrje për të mbledhur ndihma, materiale të ndryshme dhe ushqimore, dhe njerëzit mund të mblidhen këtu të tregtojnë dhe të japin për bamirësi” tha i pyetur nga ‘’Dyrrah’’, Murat Firani, Koordinator i shoqatës.
Qytetarëve të Durrësit ju ka bërë jo pak përshtypje një “zallamahi” e tillë. Të gjithë e kanë përshëndetur iniciativën në ndihmë të familjeve të vobekta, por vijimi i një panairi të tillë, në qendër të qytetit, më shumë se absurditet është perceptuar si papërgjegjshmëri nga ana e Bashkisë, e cila duhet të kishte gjetur një vend tjetër, për këtë aktivitet dyditor.
Paralel me këtë aktivitet, mëngjesin e së shtunës në qendër të Durrësit janë ngritur tendat edhe nga Kryqi i Kuq, ku është ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për dhurimin e gjakut vullnetarisht nga Pjesëtarë të kishës Ungjillore në Durrës.
Përfaqësuesit e kësaj kishe në bashkëpunim edhe me Kryqin e Kuq Dega Durrës i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të dhuruar gjak. Duke parë krizën në të cilën ndodhet Banka e Gjakut në qytetin bregdetar e cila mban me gjak një numër të konsiderueshme fëmijë të sëmurë me talasemi,por edhe kërkesave ne rritje të shkaktuara nga traumat dhe aksidentet rrugore. Rreth 300, është numri total i talasemikeve që kërkojnë transfuzione gjaku dy herë në muaj pranë kësaj Banke rajonale të Gjakut, ndërkohe qe dhuruesit e gjakut sa vijnë dhe pakësohen.