Botuesit sivjet janë tkurrur, janë më të varfër; ka pak tituj të rinj, por janë më cilësore. Ky është raporti se si vjen në edicionin e saj të 20-të editoria shqiptare, që nënkuptojmë edhe një bilanc jo shumë entuziast për botuesit, por edhe lexuesin. Ndërsa është pothuaj fatale ajo që ka deklaruar dje kreu i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri, kur ka thënë para gazetarëve se, “tani, ne, botojmë librin me 200 kopje, kurrë nuk ka ndodhur kjo deri tani. Nuk kemi pasur asnjë rast të tillë, tirazhi ka qenë mbi 500 kopje. Këto janë tirazhe provë. Është një situatë jo e mirë kjo, edhe nuk na vjen mirë që e themi”.
Në këtë situatë kryetari i Shoqatës është ndalur dje para mediave për të shënuar hapjen e panairit të përvitshëm të librit në Tiranë, që nis më 15 nëntor, dhe mbyll dyert më 18. Nuk ka “ngjarje” që ta shënjojë këtë edicion, përveç një programi mbi përkthyesit e rinj, një workshop që për Ymerin konsiderohet mjaft i rëndësishëm edhe pse është krijuar tashmë një plejadë përkthyesish.
“Ky është një vit jubilar, por është një vit i vështirë për ne si botues. Ka më pak libra të botuar, për arsye të situatës jo shumë të shëndetshme ekonomike, sepse ka pasur më pak shitje. Kjo puna jonë kështu shkon, duhet të shesim libra që të botojmë pak më shumë. Në këtë drejtim nuk ka qenë vit i begatë, si rrjedhim dhe aktivitete ka ndofta më pak, por kemi nga ana tjetër libra shumë të mirë. Një pjesë e madhe e tyre bëjnë punë shumë të mirë, qoftë me librat origjinalë, ashtu dhe me përkthimet, me përkthyes të mirë”, ka thënë Ymeri.
Këtë vit, ka lajmëruar krye i SHBSH-së, ka një pjesëmarrje dhe angazhim të plotë nga të gjithë botuesit dhe operatorët që merren me librin në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, si dhe pak nga institucione të huaja.
Ymeri ka përmendur dhe veprimtaritë në ditët e panairit që vazhdojnë të jenë të rëndësishme për promovimin e librave cilësore, por do të jenë më pak se në vitet e mëparshme, që ndoshta lidhen me pagesën e prenotimit të sallës. Ndërsa do të vazhdojë praktika e autorit në stendë.
“Librat redaktohen, paraqiten mirë grafikisht, shtypen shumë mirë dhe botuesit tregohen të kujdesshëm me çmimet. Këtë vit, si jubilar, ne do të japim më shumë çmime. E zgjeruam gamën e vlerësimeve, dhe praktikisht do të jepen këto çmime: autori më i mirë, përkthimi më i mirë, letërsi për fëmijë, çmimi i veçantë, çmim për botuesit e librarët…E ndërmorëm këtë nismë për të vlerësuar me aq mundësi sa kemi, gjithë operatorët e librit shqip. Padyshim që mundësitë tona janë të kufizuara. Por kemi pasur për këtë edhe ndihmën e Ministrisë së Kulturës”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se ceremonia e ndarjes së çmimeve është të shtunën, duke e konsideruar risi për panairin e sivjetmë.
Por, një nga shqetësimet për çmimet e larta të librit, që vazhdojnë të ndikojë te lexuesi, kreu i SHBSH Ymeri vazhdon ta lidhë me taksën e lartë mbi librin, dhe se qeveria nuk jep asnjë shenjë për uljen e saj, edhe pse në vendet e Europës taksat mbi librin varion nga 4-6%, ndërsa në Shqipëri është 20%. “Për ne është një TVSH absurde, sepse është 20% në blerje, 0 në shitje. Në përgjithësi, për sektorin e librit nuk ka mbështetje të qartë. Ajo çfarë do të ishte shumë e rëndësishme do ishte furnizimi i bibliotekave të shkollave dhe qyteteve, siç e ka gjithë rajoni, për të cilën duhet të merret shteti. Ne vetëm ngremë zërin, por nuk mund të bëjmë gjë tjetër. Bibliotekat janë bosh”.
Për këtë vit, kreu i shoqatës së botuesve, thotë se përveç Ministrisë së Kulturës, që ka dhënë 1 milion lekë, nuk kanë pasur asnjë mbështetje tjetër, edhe pse kanë bërë aplikim zyrtar në Bashkinë e Tiranës. /Mapo/