Në ditën e tretë të Panairit Ndërkombëtar të Librit “Durrës Script” që po mbahet në Durrës, është zhvilluar një bisedë e hapur mbi studimin e fundit të ligjërimit politik "Përbindëshat e Retorikës" e autorit të mirënjohur Met Dervishi. Takimi është zhvilluar në Galerinë "Jozef" ku figura të njohura të artit dhe kulturës në qytetin e Durrësit, studentë dhe miq të autorit, kanë shkëmbyer mendime sa i takon kësaj vepre të rëndësishme të penës së Profesor Met Dervishit. Qëllimi i këtij ligjërimi politik është përfshirja e audiencës dhe krijimi i një “ideologjie”, të cilën publiku do ta pranojë si të vetën. Në këtë mënyrë, përzgjedhja gjuhësore që një lider bën, do të bëjë të mundur krijimin e një diskursi, i cili do t’i udhëheqë njerëzit të pranojnë çdo argument që ai prodhon.
“Përbindëshat e retorikës” e Dervishit bëhet kështu e para vepër studimore që analizon në mënyrë të plotë nga pikëpamja gjuhësore fjalimet themelore të politikanëve shqiptarë, duke dalë në përfundime hera-herës të guximshme. Vetë autori i këtij botimi ka thënë se "Politika dhe politikanët në këto 25 vite demokraci tentojnë të dominojnë mbi kulturën, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta. Gjithashtu roli i mediave të paorientuara drejt kulturës apo librit, i bën ato të kenë politikën në qendër të punës së tyre të përditshme. Libri im duhet të bëhet pjesë e një debati të gjerë politik dhe ky është qëllimi, pasi dominanca politike është shkatërrimtare për librin", ka pohuar gjatë fjalës së tij autori Dervishi.
Vepra "Përbindëshate e Retorikës" e Met Dervishit është e strukturuar në 18 kapituj dhe nis me një analizë të fjalimeve themeluese të artikuluar nga liderët e partive kryesore politike në vendin tonë, duke vijuar më pas me shqyrtimin e retorikave të fushatave elektorale. Studimi i ligjërimit politik ofron këndvështrime dhe qasje të ndryshme, sipas fushave të ndryshme, si në politologji, sociologji, psikologji, komunikim etj., por dhe sipas shkollave. Në studimin e tij, Dervishi, është përqendruar në shqyrtimin e aspektit stilistik të ligjërimit politik. Autori ka shqyrtuar mekanizmin stilistik të retorikës në veprim dhe produktin e saj gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit, individualitetet e saj, përputhjet e mospërputhjet e saj me retorikën paraardhëse totalitare, blloqet semantike dhe risitë e saj. Përveç mekanizmit stilistik të retorikës në veprim, studimi i Met Dervishit ofron një risi me qasjen e tij. Në fokus të studimit të tij janë pikërisht marrëdhëniet e ligjërimit tonë politik gjatë këtyre njëzet viteve të fundit me masat. Panairi Ndërkombëtar i librit që po zhvillohet në qytetin e Durrësit po zgjon interesine e lexuesit, i cili po e mirëpret atë.
K.H.





