“Panairi i Punës dhe Karrierës”, eventi që do të organizohet me datë 24 qershor në Fakultetin e Biznesit në UAMD, synon të kthehet në një pikëbashkimi për vendosjen e marrëdhënieve konkrete të komunikimit dhe bashkëpunimit midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, si dhe për të prezantuar mundësitë që ofron ky treg në Durrës dhe më gjerë.

Dekani i Fakultetit, Shkëlqim Fortuzi, shpjegon për “DurrësLajm” rëndësinë që merr ky panair për studentët dhe integrimin e tyre në tregun e punës.

“Universiteti “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, Bashkinë e Tiranës, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, në datën 24 qershor, në Fakultetin e Biznesit, Spitallë do të organizojë “Panairin e Punës dhe të Karrierës”. Kjo ngjarje do të përfaqësojë një mundësi të shkëlqyer ndërveprimi midis universitetit, institucioneve publike, sipërmarrjeve si dhe organizatave të ndryshme në të gjithë vendin. Nëpërmjet saj ne besojmë se do të të krijohen mundësitë dhe do të lehtësohen kontaktet direkte të punëdhënësit me punëmarrësit e tyre potencialë”, – tha Fortuzi.

Emigrimi i të rinjve është kthyer në një plagë për shoqërinë tonë gjatë viteve të fundit. Panairi i organizuar nga Fakulteti i Biznesit në UAMD synon gjithashtu krijimin e lidhjeve të ngushta me biznesin dhe institucionet për praktikat e studentëve dhe më pas punësimin e tyre në të ardhmen.

“Një student që do të praktikohet te biznesi, në qoftë se i garantohet edhe një vend pune me të ardhura të mjaftueshme, ska arsye të largohet nga Shqipëria, por ta shikojë të ardhmen në Shqipëri. Pra t`i jepet mundësia sepse Shqipëria ka të ardhme dhe Shqipërinë do ta ndërtojnë këto breza, këto studentë”,– u shpreh Fortuzi.

Gjatë Panairit do të organizohet edhe një Forum Akademik më aktorë të rëndësishëm të botës akademike, sipërmarrjes dhe institucioneve publike, për të diskutuar mbi prirjet e tregut të punës në vitin 2021, përvojën dhe kërkesat e aktorëve të tregut të punës për përmirësimin e kurrikulave studimore, dhe çështje të tjera me rëndësi.