*Flet Aqif Hysa, administratori i shoqërisë Durana që do të organizojë për herë të parë Panairin Ndërkombëtar të Librit Shqip…
Zoti Hysa, ju jeni një nga poetët e njohur në vend të dekadave të fundit dhe pas një periudhe të gjatë në emigrim keni ardhur në Durrës me një ide interesante që tashmë po kthehet në realitet. Si ju lindi kjo ide, për një panair ndërkombëtar të librit shqip?
Është e vërtetë që unë kam jetuar për një kohë të gjatë në Itali, kuptohet me ato ardhjet e rralla të një emigranti për t’u çmallur me njerëzit, po pse jo dhe me qytetin tim Durrësin. Duke qenë gjithnjë në kontakt me librin, kam parë shumë qytete në Itali që i japin mjaft rëndësi librit, promovimit të tij po edhe duke gjetur forma dhe mënyra që ai të jetë sa më i shumtë, natyrisht cilësor, pranë njerëzve. Ajo që më vjen keq është se Durrësi, tashmë një qytet me rreth 300 mijë banorë, lë shumë për të dëshiruar për sa i përket kontaktit me librin. Librat shiten në kioska, ose më saktë mbahen në kioska ku shitet gjithçka përveç tij. Kontakti me një tjetër realitet në marrëdhëniet me librin atje dhe një mungesë kontakti për të mos thënë fare këtu, më ka ngacmuar shumë herë për të marrë një inciativë të tillë. Natyrisht që një panair një herë në vit është pak për një qytet të tillë, por ai është shumë për të thyer mentalitetin se në Durrës nuk lexohen libra. Ju thashë se me kioska të vogla, pse jo dhe me një bibliotekë që lë shumë për të dëshiruar për infrastrukturën e saj, që ka prodhuar më shumë lajme se ka rënë tavani, kur faqet e gazetave duhet të ishin të mbushura me aktivitete të saj. Nga 1990-a janë ndërruar disa herë pushtetet, po godina ka mbetur po ajo, ku po disa herë është shumëfishuar numri i popullsisë.
Domethënë këto kanë qenë arsyet që ju zgjodhët Durrësin për këtë projekt…
Jo nuk kanë qenë vetëm këto. Për mua janë edhe shumë arsye të tjera. Ky panair do të zhvillohet në një muaj kur shumë emigrantë janë kthyer në vendin e tyre me pushime dhe ka shumë prej tyre që duan të lexojnë diçka të re në gjuhën shqipe, përfshi këtu dhe vetë qytetarët durrsakë. Po ashtu që të jemi të sinqertë, ky panair kërkon edhe mbështetje financiare dhe për fat të mirë ai gjeti mbështetje nga kryetari i Bashkisë së Durrësit dhe stafi i tij. Sapo e kemi diskutuar këtë ide me z. Dako e ka mirëpritur dhe kuptohet me fundësitë dhe fondet që mund të ketë Bashkia në një seri hallesh dhe problemesh që ka ky vend, ne morëm mbështetje financiare që sa më e madhe të jetë aq më shumë e zgjeron edhe gjeografinë e pjesëmarrjes në evente të tilla. Po duke mbetur po te kjo pjesë ishte dhe bordi i Autoritetit Portual që na mbështeti me mundësitë që ka natyrisht. Po për të dalë tek ajo që ju thatë në fillim, ky panair në Durrës ka vendin e duhur, qytetin me lashtësi qysh nga antikiteti dhe përgjatë shekujve, qytetin që ndërlidhte botët e mëdha. Një ndër arsyet që projekti inkurajohet nga Bashkia e Durrësit është edhe fakti i lidhjeve të forta të bashkëpunimit e binjakëzimit mes kryeqendrave të qyteteve të Ballkanit, që nga Janina e Ulqini, nga Shkupi në Prishtinë. Duke qenë mikpritës i panairit, ai do të mirëpresë shkrimtarë, studiues, shtëpi botuese dhe media duke bërë të mundur edhe njohjen e këtij qyteti nga ata që do vijnë me më shumë detaje. Durrësi nuk ka vetëm Plazhin.
Atëherë duke lënë mënjanë arsyet që ai u zhvillua në Durrës, cili është në vetvete qëllimi i këtij panairi, çfarë synohet të arrihet dhe të përcillet nëpërmjet tij?
Po fillimisht ky panair ka për qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, vizitorët e tij, turistët vendës dhe të huaj, duke lidhur ngushtësisht librin me turizmin përmes një Panairi tematik, i pari i këtij lloji për këtë qytet. Panairi “LTDS” do të ketë specifikë të dallueshme prej manifestimeve të mëparshme librore të zhvilluar në këtë qytet dhe në mjedise të tjera në vend. Një prej qëllimeve parësore të tij është prishja e parcelizimit të tregut të librit brenda botësh shqiptare; një çerek shekulli prej rënies së pengesave politiko – kufitare, libri sot në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në ngulimet e vjetra e të reja shqiptare prodhohet jo për gjithë lexuesin shqiptar, por për libraritë e qytetit përgjegjës dhe lexuesin vendor. Qarkullimi i librit në gjuhën shqipe është tejet larg atij tregu ideal që njeh letërsia gjermane, franceze, italiane etj, madje dhe ajo greke me rajonizimin kulturor e gjeografik që i kanë diktuar rrethanat. Panairi LTDS ka qëllim gjithashtu të nxjerrë librin shqip nga izolimi i tashpërtashëm, të bëjë të mundur që gjuha të mos kthehet në kufi e burg, por të jetë një urë komunikimi që mundëson daljen e librit përtej gjuhës në të cilën është shkruar. Por ky panair është dhe në fokus të qëllimit që ka shoqëria “Durana”, atë të promovimit të artit dhe kulturës dhe kjo nëpërmjet aksit Durrës –Tiranë.
Atëherë disa detaje të zhvillimit të këtij panairi, pjesëmarrja, vendi, orari që do të ishin me interes për lexuesin…
Panairi do të zhvillohet nga data 2 gusht deri më datën 7, pra pesë ditë dhe vendi ku ai do të zhvillohet do të jetë në sheshin “Taulantia”. Tashmë së bashku me stafin e bashkisë është përcaktuar vendi dhe do të jetë një ambient i mbuluar, i mbushur me stenda, nga shtëpitë botuese që do të marrin pjesë. E veçanta do të jetë se panairi nuk do të jetë gjatë gjithë ditës i hapur. Ai do të hapet në orën 18.00, orar i përshtatshëm ky dhe për temperaturat për të vazhduar deri në mesnatë.
Ka një shifër se sa do të jetë numri i shtëpive botuese që do të marrin pjesë?
Këto janë ditë intensive për të gjithë grupin e punës. Ne jemi çdo ditë në kontakte me shtëpitë botuese që interesohen dhe mendoj se ky numër do të jetë i lartë. Ajo që mund t’u them tani për tani është fakti se të gjithë shtëpitë e mëdha botuese në Shqipëri dhe Kosovë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por ka dhe shtëpi të tjera më të vogla që po ashtu kanë konfirmuar një gjë të tillë, ndërsa nuk mungojnë ato nga disa vende ku flitet dhe botohet shqip.
Marrë nga “Bulevard”





