Një panair i veçantë me larmi punimesh, 3 automjete të ndërtuara nga nxënësit falë njohurive teorike dhe praktike të fituara në shkollë, me presa hidraulike, kalandra funksionale, minipishinë me hidromasazh dhe panele diellore, torno të ndryshme dhe deri robot me pjesë metalike është hapur në shkollën profesionale mekanike “Beqir Çela” në Durrës.

Drejtori i shkollës, Fatmir Mërkuri shprehet se ky panair do të vlejë edhe për nxënësit e shkollave 9-vjeçare për të kuptuar se çfarë realizojnë nxënësit e kësaj shkolle gjatë procesit mësimor, teori dhe praktikë. 

Roland Lamaj, është një nxënës 17-vjeçar, i cili ëndërron që një ditë të jetë konstruktor i një autoveture që të qarkullojë rregullisht në rrugë. Ai ndjek mësimet në degën e mekanikës në gjimnazin profesional në Shkozet të Durrësit dhe në panairin e shkollës ka prezantuar punën e përbashkët për ndërtimin e një makine.

Diploma e kësaj shkolle tashmë njihet në çdo vend të BE-së. Me degët e saj në, Shërbime mjetesh transporti, Elektroteknikë,Termohidraulikë dhe Teknologji Informacioni, ajo i përgadit nxënësit për tregun e punës, ndërkohë që një pjesë e tyre zgjedhin të vazhdojnë studimet e larta.