Nga datat 19-20 në Izmit të Turqisë u zhvillua panairi ndërkombëtar Match Industry.
Në një nga eventet më të mëdha të rajonit në këtë sektor mjaft të rëndësishëm të ekonomisë, vendi ynë u prezantua me 18 biznese, shumë prej të cilave nga Durrësi.
Për përfaqësuesit e bizneseve, pjesëmarrja në këtë panair ndërkombëtar shërbeu për krijimin e sa më shumë kontakteve me bizneset simotra në rajon dhe më gjerë, forcimin e urave të bashkëpunimit dhe depërtimin e produkteve shqiptare në sa më shumë tregje ndërkombëtare.


Nënshkrimi i një marrëveshje të rëndësishme mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe Dhomës së Industrisë së Kocaelit ishte “qershia mbi tortë” pas gjithë kontakteve bilaterale, që u vendosën aty.
Na ndiqni në vijim për të mësuar shumëçka nga ky rrugëtim 3 ditor në Turqi, që për bizneset durrsake u kurorëzua në formën më të mirë të mundshme.

Në përbërje të delegacionit shqiptar që mori pjesë në panairin Match Indrutry ishin 28 anëtarë dhe ai kryesohej nga kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Neritan Golja dhe përfaqësueset e këtij institucioni Brizida Hoxha dhe Julia Traja.
Nisja nga Rinasi u bë pasditen e së mërkurës, ndërsa vendi ishte përfshirë nga moti i keq. Udhëtimi ynë drejt Stambollit ishte parashikuar të zgjaste rreth 2 orë.
Pas mbërritjes në aeroportin e metropolit turk, na priste transferimi për në Izmit, destinacioni final i këtij udhëtimi.
Mbërritja në strukturat akomoduese Ramada Hotel dhe Wes Hotel ishte rreth orës 02:00.
Lodhja ishte e pranishme mes anëtarëve të delegacionit, por ajo që na priste gjatë ditës na mbushte me besim dhe pritshmëri të larta.


Mëngjesin e 20 nëntorit, rreth orës 10:00, delegacioni u nis drejt Kocaelit, për t’u bërë pjesë e panairit.
Çdo kompani u vendos në tavolinën e saj të takimeve, gati për bisedimet dy palëshe me rreth 190 biznese dhe kompani ndërkombëtare të ardhura nga e gjithë bota.
Gjithçka ishte perfekte në mënyrën e organizimit dhe stafi turk ishte i pranishëm në rreth 360 takime të planifikuara përgjatë 2 ditëve të panairit duke ofruar orientim, përkthim dhe çdo asistencë të nevojshme gjatë gjithë procesit.


Për biznesmenët durrsakë, prania në këtë panair industrial i arriti pritshmëritë.
Sokol Çupi, administrator i Everest: “Takimet kanë qenë interesante, kemi bërë takime me sipërmarrës nga vende të ndryshme të botës. Më bëri habi që ishte dhe Dhoma e Industrissë së Teksasit dhe kishin goxha interes për bashkëpunime me biznese dhe biznesin tonë. Panairet janë gjithmonë të vlefshme, sepse takimi me njerëzit kur shkëmben ide dhe interesa sjellin gjithmonë fryte te duhura dhe herë pas here kemi nevojë për këto takime, sepse na hapen horizonte të reja bashkëpunime të reja dhe interesa të ndërsjellta për të gjitha palët.”
Valbona Bekolli, sipërmarrëse e Albacademy: “Panairet shpeshherë janë një burim i mirë network-u. Ky organizim na ndihmon të kemi një partnership, shikoj që njerëzit janë shumë bashkëpunues dhe kanë interes të madh për tregun tonë.”
Klajd Dervishi, menaxher i Albsteel: “Në këtë event të organizuar nga Dhoma e Tregtisë Durrës për mua është hera e parë dhe shikoj goxha pozitivitet dhe ambient profesional për të zgjeruar rrjetin me partnerë të rinj biznesi. Takimi i parë shkoi shumë mirë, pata mundësinë të takohem me një përfaqësuese kompanie nga Mbretëria e Bashkuar dhe lamë të hapur mundësinë e bashkëpunimit në vijim.”

Takimet dypalëshe mes biznesmenëve durrsakë dhe homologëve të tyre nga rajoni dhe bota ishin mjaft të frytshme dhe interesimi i treguar nga partnerët e huaj për vendin tonë ishte maksimal.
Klodian Kërtusha, administrator i Baumarket Dani Techno Center: “E shikojmë që ky panair është i frytshëm, me takimet që ne kemi rezervuar me shumë partnerë të tjerë nga e gjithë bota. Besoj që na vlen për bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm të bizneseve.”
Alban Rabi, administrator i Eno TD: “Ky panair është shumë i veçantë, komplimente Dhomës së Tregtisë Durrës. Kemi pioner në kapitalizëm dhe është e mira të na krijohen mundësi të tilla nga Dhoma e Tregtisë. Shqipëria dhe biznesi shqiptar duhet të dalë nga faza eksperimentale duke qenë se i kemi këto mundësi dhe Dhoma e Tregtisë na krijon mundësi të inportojmë energji, njohuri, plus dhe akses në tregjet e ndryshme dhe në zgjerimin e portofoleve të biznesit shqiptar.”
Vahidije Kadiu, përfaqësuese e DuranaTechPark: “Realisht deri tani takimet kanë qenë interesante, ka pasur shumë interes dhe nga investitorët e huaj. Ata janë shumë të interesuar për të ardhur dhe operuar në Shqipëri.”

Një nga momentet kyçe të vizitës ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes Dhomës së Tregtisë Durrës dhe Dhomës së Industrisë Kocaeli, që pritet të shoqërohet me shkëmbime të reja dhe projekte të përbashkëta.
“Ju falenderojmë sinqerisht nga zemra për organizimin dhe pritjen e shkëlqyer që na keni bërë. Ju falenderoj në emër të të gjithë bizneseve që kemi udhëtuar për në Stamboll. Ishin një eksperiencë më vete takimet dypalëshe që bëmë midis bizneseve shqiptare dhe turke ku pati një rezultat me të vërtetë shumë të mirë. Do ishim shumë të kënaqur dhe të lumtur që dhe nga ana juaj të kishim një vizitë për takimet B2B në Durrës, në Shqipëri, në Tiranë, ku do të bënim një super organizim po ashtu sikurse e keni bërë dhe ju,. Jeni të mirëpritur në muajt e parë të vitit 202. Ju faleminderit edhe njëherë.” – i tha kreu i DHTI Durrës, Neritan Golja, homologut të tij turk Ayhan Zeytinoğlu.
Pas takimit dhe marrëveshjes së nënshkruar, Golja rrëfen për “DurrësLajm” se çfarë nënkupton kjo marrëveshje për të dyja Dhomat e Tregtisë.
“Patëm një udhëtim ku morën pjesë mbi 20 biznese, që udhëtuan bashkë me ne nga Shqipëria, ku rezultatet ishin të mahnitshme. Patëm takime dypalëshe me të gjithë llojet e bizneseve, ku u konkluduan dhe mbyllje marrëveshje midis palëve, ku ne si Dhomë e Tregtisë Durrës mbyllëm një marrëveshje me Dhomën e Tregtisë së Koçaelit. Bashkëpunimi i mëtejshëm mes dy Dhomave do të jetë akoma edhe më i frytshëm dhe i suksesshëm në të gjitha llojet e fushave të tregtisë.
Ka një rëndësi të veçantë sepse është një nga detyrat parësore të Dhomës, të bëjë takimet midis bizneseve shqiptare dhe turke, dhe sikurse sot realizuam marrëveshje të mbyllura. Ndihemi të motivuar dhe të lumtur për çka u arrit sot.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Koçaelit më premtoi se do të vijë bashkë me një delegacion të bizneseve turke, që në 3 mujorin e parë të vitit 2026. Do të jemi pjesë e një organizimi shumë të madh. Do të kemi pjesëmarrje edhe nga vendet e tjera në kuadrin e bashkëpunimit të Dhomës së Tregtisë. dhe Industrisë”.


Udhëtimi 3-ditor i delegacionit shqiptar në Turqi u mbyll me rezultate të prekshme, marrëveshje të firmosura dhe kontakte të rëndësishme për bizneset shqiptare.
Delegacioni u rikthye në Shqipëri duke përmbyllur një vizitë, efektet e të cilës pritet të materializohen së shpejti në bashkëpunime të reja për sipërmarrjen shqiptare dhe atë durrsake në veçanti.
L.M.





