Panairi dy ditor “Taverna e Adriatikut” hapi siparin e tij mbrëmjen e së shtunës në shëtitoren “Taulantia” me qëllimin për t’u kthyer në një destinacion dhe atraksion agroturistik për vendasit dhe turistët e shumtë.

30 sipërmarrje të ndryshme ekspozuan produktet e tyre duke prezantuar kështu potencialet gastronomike të fshatrave turistikë të Durrësit.

Shumë produkte janë të destinuara për tregun vendas, por nuk mungojnë dhe ato ekskluzivisht për tregun e huaj.

I pari i këtij lloji në qytetin e Durrësit, ky panair i organizuar nga Bashkia dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon të kthehet në një traditë të përvitshme çdo sezon veror, ku qyteti bregdetar vizitohet në masë nga turistë nga trevat shqipfolëse dhe ata nga vendet e BE-së.

Ndër stendat më të vizituara ishin ato ku degustoheshin produktet e detit, ato gastronomike apo verërat.

Një kënd i veçantë në panair u ishte rezervuar artizaneve të zonës, që disa prej trendeve më të fundit të modës, i sjellin përmes punimeve handmade.

Një atmosferë të veçantë në panair krijoi grupi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve me repertorin e tyre. Panairi “Taverna e Adriatikut” do jetë i hapur edhe të dielën.  

M.B.