Me qindra të rinj, kryesisht maturantë, vizituan sot stendat e disa prej 33 universiteteve publike dhe private, pjesë e Panairit “Work&Study”, për t’u njohur nga afër me programet e studimit, kurrikulat arsimore, si dhe për të përfituar nga zbritjet në ofertat e regjistrimit.
Risitë e edicionit të XV-të të këtij panairi i prezantoi organizatorja e tij Ornela Gaçe.
“Sot në qytetin e Durrësit kemi rreth 33 institucione arsimore, që vijnë në këtë panair me oferta studimi. Rinia që vjen dhe viziton panairi dhe shkon një universitet ka mundësi që të përfitojë zbritje të menjëhershme që nuk ndodh në ditë të zakonshme. Kjo është e veçanta dhe fryma që ne sjellim në çdo qytet”.
Degët më të preferuara të maturantëve, që së shpejti do të jenë studentët e ardhshëm, janë kryesisht ato që u ofrojnë mundësi më të shumta punësimi në tregun e punës si shkenca kompjuterike, mjekësi, gazetari, juridik etj.

Pranë stendës së Universitetit “Aleksandër Moisiu”, të shumtë ishin maturantët e interesuar. Gama e gjerë e programeve të studimit dhe cilësia e mësimdhënies, e ka kthyer këtë universitet në mjaft të preferuar.
“UAMD në këtë panair përveç 5 fakulteteve që ofrojnë programe të ndryshme studimi ka ardhur me risi, me programe të dyfishta që do të thotë diplomë e dyfishtë me universitetet prestigjioze në Evropë dhe gjithashtu ka programet e reja si Informatikë ekonomike. Duke qenë se jemi bërë që nga vjet pjesë e Aleancës së Universiteteve Evropiane kurrikulat dhe modulet janë drejtuar drejt standartit evropian.”

Të qenit efektiv i Policisë së Shtetit duket se intrigon një pjesë të konsiderueshme të rinisë, pavarësisht vështirësive që mund të ofrojë ky profesion.
“Në kuadër të ristrukturimit që po pëson Policia e Shtetit edhe Akademia e sigurisë për t’i paraprirë rekrutimit të punonjësve të rinj të policisë normalisht ka futur programin Bachelor, i cili është i akredituar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe në përfundim të 3 viteve të gjithë studentët e para kanë të garantuar vendin e punës dhe mund të punojnë në të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit”,- tha drejtues Roland Pelushi.
Durrësi është ndalesa e radhës e panairit “Work & Study”, i cili pas një turi një mujor në shumë qytete të Shqipërisë, do të përmbyllet në datat 3-4 prill në Tiranë.
M.B.





