Sali Berisha thotë se nuk e ka takuar kurrë Ismail Mulletin, biznesmenin e parë shqiptar të përmendur nga dosja e denoncimeve të Panamasë dhe thotë se ai nuk ka qenë i pranishëm në bisedimet me kompaninë GFI për koncensionin e firmosjes së karburanteve në mars të 2013-s.

Në një bisedë për “Top Channel”, Berisha thotë se është garant vetëm për familjen, dhe jo për ish-ministrat e tij.

“Kjo kontratë u firmos me kompaninë kanadeze Global Fluid International dhe një ortak izraelit dhe Gjykata Kushtetuese i ka dhënë kontratës fuqi kushtetuese dhe nëse Global Fluid e ka pranuar këtë kompani, është puna e saj. 

Ismail Mulleti në dijeninë time nuk ka ekzistuar si aksioner kur Global kishte 75 për qind dhe gjëja më korruptive që mund të bëjë një qeveri është t’u përcaktojë ortakët të huajve. Kurrë nuk është bërë dhe nuk mund të bëhej nga unë. Që në momentin që sugjerohet një ortak, sugjerohet një interes”, tha ish-kryeministri.

Ndërsa pyetjes nëse do të merrte ndonjë përgjegjësi për ministrat e kohës së qeverisjes së tij, Berisha iu përgjigj:

“Marr ato përgjegjësi që më takojnë sepse mund të them që edhe për këta nuk mbaj përgjegjësi, por ne kemi standardet tona si familje dhe nuk shkelen asnjëherë.”