Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka folur në lidhje me çështjen e shumëpërfolur ditët e fundit, “Panama Papers”. Manjani tha se do të përgatitet një draft për kompanitë offshore që do investojnë në Shqipëri, i cili i detyron ato që të deklarojnë pronarët dhe aksionet.
Manjani theksoi se janë të gatshëm që implementojnë ligjin gjerman. Sipas tij, nevoja për transparencë është e pashmangshme.
“Çështja e kompanie offshore është një çështje globale, nuk ka lidhje me Shqipërinë, nuk ka lidhje me shqiptarët. Ministri i Drejtësisë gjermane dje ka lançuar një nismë ligjvënëse për shtetin gjerman, sipas së cilës kushdo që investon në Gjermani duhet të bëjë publikë emrat e aksionerëve. Këtë ligj jemi gati ta përdorim.
Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë po shohin mundësinë se ku do transponohet kjo pjesë e legjislacionit. Shumë shpejt nisim bisedimet për të marrë këtë model. Për ta bërë këtë sa më të mundshme edhe në Shqipëri, edhe pasi ta kem konsultuar me ministrin e Financave. Çdo kompani offshore që do të investojë në Shqipëri do duhet që të ekspozojë aksionerët. Kemi nisur punën, për të parë ku duhen bërë ndryshimet ligjore”, tha Manjani.





