Mijëra njerëz u mblodhën sot përpara rezidencës së kryeministrit britanik David Cameron në Downing Street në Londër, për të kërkuar dorëheqjen e tij, pas zbulimit të emrit të tij në skandalin e “Panama Papers”.

Protesta vjen pak ditë pas demonstratave popullore në Islandë, që çuan në dorëheqjen e kryeministrit islandez.

Vetë kryeministri pranoi se është fajtor për mënyrën sesi e trajtoi çështjen e  aksioneve në një shoqërie offshore, pronë e të atit, por që i kishte shitur përpara se të merrte postin e shefit të qeverisë në vitin 2010.

Në një forum të konservatorëve britanikë, ai deklaroi se duhej ta kishte përballuar më mirë krizën e shkaktuar nga skandali.