TIRANË, 15 mars 2013– Ministri i Jashtëm Edmond Panariti ka pritur sot në një takim, homologun e tij kosovar Enver Hoxhaj me të cilin ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
Gjatë konferencës së përbashkët, ministri Panariti vlerësoi kontributin e zotit Hoxhaj për sa i përket lotimeve në njohje të Pavarësisë së Kosovës, gjithashtu edhe dialogun e nisur mes Kosovës dhe Serbisë, që sic tha ai është i nevojshëm për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe për zgjidhjen e çështjeve që shqetësojnë të dyja palët.
Duke folur për memorandumin, Panarti tha se, “Bëhet fjalë për një bashkëpunim ekonomik, tregtar, por jo diplomatik, pasi ne jemi dy shtete sovrane dhe kemi përfaqësimin tonë në gjitha vendet e botës, mund të ketë edhe bashkëpunime diplomatike, por nuk është pjesë e këtij protokolli”, tha ai.
I pyetur se kur do të vizitojë ai Serbinë, Panariti u shpreh se do të shkojë atje vetëm kur të ftohet për të nënshkruar disa marrëveshje me Serbinë.
“Vizita në Beograd është diskutuar pas vizitës së Mërkic. Që të ndodhë duhet që të dy palët të nënshkruajnë 14 marrëveshje, si ajo e njehësimit të diplomave, për të cilat është rënë dakord”, tha ai.
Ndërsa ministri Hoxhaj u shpreh i kënaqur se po vizitonte Shqipërinë, të cilën e quajti një partner strategjik të Kosovës, ndërsa vlerësoi lart memorandumin e nënshkruar së fundmi.
“Kjo vizitë bilaterale dhe memorandumi që nënshkruam është një ngjarje e vecantë, ne nënshkruam një protokoll bashkëpunimi, për partneritet strategjik mes vendeve tona. Shqipëria për ne është një partner i fuqishëm ekonomik, politik por edhe arsimor. Me nënshkrimin e këtij memorandumi janë evidentuar fushat strategjike të bashkëpunimit. Ne jetojmë në një kohë të ndërvarësisë dhe ky protokoll adreson të gjitha mundësitë e ndërveprimit. Mendojmë që lëvizja e lirë e njerëzve, shërbimeve, mallrave janë ndër format më të mira se si bëhet një bashkëpunim”, tha ai.
Hoxhaj ndër të tjera shtoi se pret që Kosovën ta njohin së fundmi edhe dy shtete të tjera. Ai vlerësoi edhe dialogun mes Kosovës e Serbisë, i cili sipas tij “shërben në normalizimin e situatës në veri, për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, por edhe për të fuqizuar rolin e Kosovës, në BE e SHBA”, sic tha Hoxhaj.