TIRANË – Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti priti sot në një takim përfaqësues të shtetasve shqiptarë të ndaluar sot paradite në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës “Elefterios Venizelos”.
Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, Ministri Panariti dëgjoi me vëmendje shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë të kthyer nga autoritetet greke dhe garantoi se Ministria e Jashtme po ndjek me shumë prioritet situatën e krijuar.
Ministria e Jashtme sqaron se ka paraqitur propozimet përkatëse te pala greke për zgjidhjen e problemit të toponimive, bazuar në praktikat e njohura ndërkombëtare për këtë çështje. Sot rreth 14 gra dhe fëmijë shqiptarë, emigrantë në Greqi janë ndaluar të hyjnë në Athinë, për shkak të toponimit në gjuhën shqipe në pasaportat e tyre.
Mësohet se fëmijët e familjeve shqiptare të lindur në Greqi, në pasaportat e tyre të prodhuara në Shqipëri vendlindja është shkruar vetëm në shqip. Ndërkohë që autoritetet greke pretendojnë që toponimi të jetë dhe në anglisht.





